Nga Endri ÇINARI

Vllaznia po kalon një moment të shkëlqyer forme në kampionat. Shkodranët nuk njohin humbje në Superiore prej 11 javësh, ku kanë marrë 9 fitore dhe 2 barazime. Duke bërë që kuqeblutë të ngjiten tashmë në vendin e dytë me 46 pikë, 4 më pak se kryesuesit e Egnatias. Ku rrogozhinasit konsideroheshin të pakapshëm para pak javësh.

Patjetër që tek ambienti i futbollit jo vetëm në klub, por në mbarë qytetin duan që ekipi të vijojë në këtë ecuri. Për të shpresuar deri në fund tek ëndërra që është titulli kampion. Dhe kalendari duket se e “favorizon” disi skuadrën shkodrane sepse përballë në javët e ardhshme do ketë skuadra që po luftojnë për mbijetesën.

Duke nisur që nga kjo javë që mbyll edhe fazën e tretë, ku Vllaznia viziton Skënderbeun në Korçë. Me bardhekuqtë që po kalojnë një moment të mirë forme dhe janë në vendin e katërt, por një kundërshtar i kalueshëm duke parë që objektivi real i “ujqërve” është mbijetesa. Shkodranët do vijojnë me transfertat në nisjen e fazës së katërt.

Ku do vizitojnë Kukësin, me verilindorët që janë me një këmbë në Kategorinë e Parë. Për ta mbyllur këtë tur takimesh, do jetë Erzeni që do vizitojë Vllazninë në javën e 29-të, një duel i lehtë në letër. Pra, një grumbull ndeshjesh ku shkodranët mund të bëjnë shumë mirë, pavarësisht se nuk ka vend për nënvlerësim për asnjë skuadër. Duke parë që diferencat mes ekipeve janë të vogëla në kampionatin tonë./www.shkodrasport.com/