Kundërshtari i rradhës i Vllaznisë në këtë javë të Superiores do jetë Erezeni. Shijakasit do vizitojnë Shkodrën ditën e dielë, me ndeshjen që do luhet në orën 18:00 në stadiumin ‘Loro Boriçi’. Ekipi i drejtuar nga Xhevahir Kapllani ka qenë me të vërtetë surpriza më e bukur e këtij edicioni në Superligën tonë të futbollit.

Kjo pasi të gjithë e konsideronin të rrëzuar nga kategoria ende pa filluar kampionati, madje kishte dyshime se ekipi nuk do merrte pjesë fare në këtë sezon në Superligë. Por një skuadër e grumbulluar në kohë rekord, ka qenë me të vërtetë një kockë e fortë për të gjithë. Ku tashmë shijakasit pas përfundmit të 3 fazave të para ndodhen në vendin e 5-të të renditjes me 37 pikë.

Duke qenë kështu jo vetëm totalisht të sigurtë në garën për mbijetesë, por edhe mund të tentojnë të paimagjinueshmen, ku do ishte një kualifikim në kupat e Europës. Megjithatë në Shijak fluturojnë ulët dhe nuk nxitohen apo kalojnë në eufori, duke i marrë ndeshjet me rradhë në kampionat e madje duke marrë thuajse më të mirën e mundshme nga çdo takim.

E kësaj rradhe do jetë transferta në Shkodër, përballë një skuadre si Vllaznia që kërkon reagimin pas periudhës së fundit shumë të vështirë. Erzeni është ai ekip që në këtë sezon nuk ka pësuar kurrë dy humbje rradhazi dhe mund të jetë në dorën e shkodranëve që t’ia shkaktojnë një ‘plagë’ të tillë. Ku pas humbjes me Tiranën në javën e kaluar në shifrat 3-1, mund të jetë rradha e kuqebluve për të goditur shijakasit.
Endri ÇINARI