Një karrierë e suksesshme si futbollist me Vllazninë, më pas po me këtë skuadër si trajner dhe po ashtu edhe me kombëtaren shqiptare, kanë qenë mëse të mjaftueshme që institucioni i Presidentit të Republikës t’i akordonte atij titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Dhe ky titulli Astrit Hafizit i është dorëzuar me rastin e 100 vjetorit të klubit shkodran. Vetë ai në ato pak fjalë që ka thënë në sallën e teatrit “Migjeni” ka patur edhe dedikime për këtë titull të marrë:
“Unë kam dëshirë të bëj dy dedikime. Të parin prindërve të mi, vëllait dhe motrës të cilët në karrierën time si futbollist, më ndihmuan duke më krijuar kushte shumë të mira për të arritur këtu ku erdha. Dhe së dyti, familjes time, gruas në veçanti por edhe fëmijëve, që për karrierën si trajner sakrifikuan shumë për mua që unë të arrija përsëri aty ku erdha.
Por nuk mund të lë pa përmendur tifozët e Shkodrës që më kanë mbështetur shumë, qytetit tem. Falenderoj edhe Bashkinë për këtë propozim që bani për këtë titull dhe për këtë nder të veçantë për mua”.
© shkodrasport.com