Shqipëria i ka shënuar katër gola Turqisë në transfe të dhe videoja e asaj ndeshjeje miqësore të 21 janarit 1998 ruhet ende me fanatizëm nga Astrit Hafizi. Trajneri që drejtoi kuqezinjtë në një periudhë shumë të vështirë, flet sot 21 vite më pas, kur Shqipëria luan një ndeshje shumë të rëndësishme, këtë herë për eliminatoret e Europianit kundër Turqisë.
Futbolli është i paparashikueshëm dhe një ekip si ne është gjithashtu i tillë. Kush e mendonte se mund të shënonim katër gola ndaj Islandës, por ja që ndodhi. Jemi një skuadër që objektivat i kemi si të marrë loja. Ne nuk është se jemi një ekip që kemi rritje nga ndeshja në ndeshje. Shqipëria është skuadër momenti, ku brenda lojës ose 20 minutat e para apo ato të fundit, mund të shkëlqejmë.
Pra, nuk kemi një stabilitet në lojën tonë, prandaj dhe mendoj se shanset tona janë të pakta në Turqi. Luajmë ndaj një kundërshtari që pretendon të shkojë në Europian dhe nëse nuk arrin vendin e parë, të paktën do të kapë të dytin.
Një Turqi që ka mundur Francën dhe s’mund të lërë pikë ndaj nesh e për më tepër na ka mposhtur pastër në “Loro Boriçi”. Gjithsesi, çdo gjë mund të ndodhë, por që të bëjmë surprizën, duhet që kundërshtarin ta kapim në një ditë jo të mirë dhe ekipi ynë të japë më shumë se 100% të mundësive që ka.
Trajneri e ka cilësuar si një finale…
Nuk mendoj se duhet të shkojmë detyrimisht me këtë objektiv, sepse pastaj pësojmë zhgënjime të mëdha. Më mirë skuadra të rinovohet gradualisht dhe pastaj, nëse marrim një rezultat të mirë në Turqi, atëherë do të ishte kryevepër. Edhe nëse nuk arrijmë një rezultat pozitiv, prapë nuk duhet parë si humbje e madhe. Turqia dhe Islanda janë në atë stad që llogarisin maksimumin e pikëve ndaj nesh.
Çfarë ju ngroh dhe çfarë ju shqetëson më tepër nga kjo Kombëtare?
Pika më e fortë e jona në këtë moment, si asnjëherë tjetër, është porta. Kemi portierë shumë të mirë dhe kjo është një garanci e plotë. Skuadra kur nis të ndërtohet, fillohet me portierin dhe unë mendoj se asnjëherë nuk kemi qenë më mirë se tani. Strakosha dhe Berisha janë dy portierë që çdo skuadër do t’i kishte zili. Pastaj, sa u përket problemeve, unë mendoj se kemi në repartin e mbrojtjes.
Ndoshta nuk kemi ose nuk po vijnë në formë ata lojtarë që na duhen. Janë afruar disa të rinj, por nuk mund të themi se janë gati, pasi duhet të marrin eksperiencë. Mbrojtja ka mangësi, por edhe organizimi i lojës. Është e rëndësishme se si skuadra do të orientohet në fushë.
Ndeshjet tona janë spontane, nuk jemi një skuadër që dimë ku të çojmë topin. Ndërtimi i sulmit dhe loja nga krahët janë vështirësi për ne. Sulmi është me hope, sepse duket sikur nganjëherë kemi lojtarë dhe ndonjëherë nuk kemi. Kur themi sulmues, ata duhet të shënojnë vazhdimisht, jo bën një gol dhe pastaj kujtohet pas një muaji dhe dy muajsh. Nuk kemi vazhdimësi sa u përket sulmuesve
Kush mund ta bëjë diferencën në ndeshjen e së premtes?
Nuk kam ndonjë afeksion për ndonjë lojtar, por gjithsesi do të përmendja Baren, i cili ka dhënë disa sinjale të mira në ndeshjet e fundit. Bëhet fjalë për një lojtar që, nëse orientohet mirë, mund të bëjë gjëra të mëdha.
Çfarë përshtypjeje ju ka lënë Reja dhe a e meriton rinovimin e kontratës?
Rinovimi nuk është në dorën time që ta komentoj, por mund të them se nga trajnerët italianë që kanë ardhur në Shqipëri, është nga ata me më tepër përvojë. Ka një CV më të mirë dhe me ide të qarta. Është fiksuar me sistemin 3-5-2 dhe 3-4-3, duke insistuar derisa të gjejë një zgjidhje me lojtarët e duhur. Më pëlqen vendosmëria që ka Reja, duke qenë fanatik i detyrave. E përsëris që nga trajnerët italianë që kanë ardhur, mendoj se është nga më të mirët.
Mavraj, Sadiku, Xhaka, Kaçe, Uzuni etj. kanë mbetur jashtë listës. Ju duket e drejtë?
Këto janë zgjedhjet e Rejas edhe për shkak të kundërshtarit që ka. Mund të jenë arsye kohe apo përshtatjeje lojtarësh, pasi ndoshta ka ndërmend të provojë të tjerë.
Nuk është se lënia jashtë e tyre përbën ndonjë hata të madhe. Unë mendoj që janë zgjedhje më se të domosdoshme që një trajner duhet t’i ketë. Ka pasur raste kur janë grumbulluar lojtarë vazhdimisht dhe s’kanë luajtur kurrë, kështu që më mirë kështu. Është e drejtë e tij dhe në fund mban përgjegjësi, pasi mund të dalë “djalë” ose “vajzë”.
A mund ta përdorim më Kosovën si alibi për lojtarët?
Shikoni, do të vinte një moment, dita, që ne nuk do të merrnim më lojtarë nga Kosova. Ne duhet të kishim një vëmendje më të madhe prej kohësh për lojtarët e Shqipërisë që luajnë në shumë vende në Europë.
Prapë po grumbullohen lojtarë të rinj nga Kosova dhe do të vijë një moment që do të mbesim me gisht në gojë. Kur të mos kemi më lojtarë me origjinë nga Kosova, që pranojnë të luajnë për Shqipërinë, atëherë do t’i kthejmë sytë nga pjesa jonë. Në këtë aspekt jemi shumë vonë dhe kemi për ta ndier si problem në vazhdimësi.