Ëndrra e shkodranëve për titullin kampion të Vllaznisë pas shumë vitesh u shua mbrëmjen e së dielës, kur ajo barazoi me Egnatian dhe nuk mundi të shkonte në finale, për shkak të renditjes më të dobët në kampionat.
Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë, Astrit Hafizi, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka dhënë mendimin e tij për atë kuqeblutë treguan këtë sezon. Pavarësisht se nuk u menaxhua mirë situata për të qenë në finalen e titullit, sipas tij, ky sezon nuk mund të quhet i pasuksesshëm për Vllazninë. Finalen e titullit mes Partizanit dhe Egnatias Hafizi e sheh të baraspeshuar, ndërkohë që jep këshillat e tij për Vllazninë e sezonit të ri. Ai shprehet se klubi duhet afrojë lojtarë që bëjnë diferencën, edhe pse ata kanë kosto.
“Mund të them se ishte me shumë oshilacione. Një nisje jo e mirë në fillim, me ndryshimin e trajnerit dhe me një ngjitje të ekipit me trajnerin e ri. Skuadra pati sërish oshilacione, që çuan në largimin e trajnerit të dytë dhe ardhjen e trajnerit aktual, që për kohën që kishte në dispozicion, nuk kishte çfarë të ndryshonte.
Mendoj se Vllaznia gaboi që në nisje. Lojtarët që u afruan nuk ishin ata që duheshin. Trajnerit iu afruan lojtarë që nuk ishin për të shkuar aty ku duhet, pra Vllaznia gaboi që në ndërtimin e saj. Lëvizjet e trajnerëve sollën diçka pozitive, duke bërë që skuadra të ndryshonte. Vllaznia gaboi edhe në strategji në fund të sezonit, ajo duhet që të kishte bërë më shumë që të mbante vendin e dytë dhe të ishte favorite. Nëse do të ishte në dy vendet e para, do të luante për dy rezultate, por e humbi vendin e dytë dhe kjo solli atë fakt që e penalizoi”- eshte shprehur nder te tjera Hafizi.