Ndryshime në krye të ekipeve të Akademisë Vllaznia. Që nga dita e djeshme, Ilir Dibra, Alban Noga dhe Entri Çaku nuk do të jenë më në krye të ekipeve U-19 dhe U-17 të Vllaznisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Trajnerëve. Ata pasi kanë analizuar punën e bërë në këto ekipe, kanë vendosur për ndryshimet e emrave. Në fakt kishte kohë që përflitej një gjë e tillë për dy trajnerët e 19 vjeçarëve Dibra e Noga por paksa e çuditshme duket largimi nga posti i trajnerit të 17 vjeçarëve i Entri Çakut ndonëse ky i fundit në dy sezonet e fundit e ka nxjerrë kampion këtë ekip. Këshilli i Trajnerëve ka vendosur që trajner i ekipit të të rinjve të jetë Astrit Premçi ndërkohë që ende nuk është mësuar ndihmësi i tij ndërsa tek paratërinjtë trajner do jetë Ismet Hoxha dhe ndihmës i tij mbetet Nefail Zhejani. Sigurisht që për emrat e vendosur për t’i drejtuar këto ekipe askush nuk mund të thotë asgjë sepse janë emra të njohur të trajnimit megjithatë duket paksa e palogjikshme fakti i tyre që ata duke qenë pjesë e Këshillit të Trajnerëve, të emërojnë veten në një funksion tjetër sepse ka konflikt interesi. Megjithatë të shpresojmë se ekipet e Akademisë Vllaznia do vazhdojnë ecurinë e tyre të mirë si në rezultate ashtu edhe në nxjerrjen e lojtarëve cilësorë për ekipin e parë.
www.shkodrasport.com