Mbrëmjen e së shtunës është entuziasmuar së tepërmi. Astrit Zaganjori ka qenë ndër kampionët e fundit vite më parë me Vllazninë dhe që atëherë në Shkodër nuk ka mbërritur më asnjë titull kampion për basketbollin. Mund të vijë këtë vit ndoshta. Para disa vitesh ka qenë sportist ndërsa sot mban postin e inspektorit pranë klubit shumësportësh Vllaznia por edhe rolin e ndihmësit të trajnerit Gjeçaj. Ai në ndeshjen ndaj Klubit Tirana ka përjetuar shumë emocione dhe pas ndeshjes është shprehur kështu për gazetën online www.shkodrasport.com kur ka thënë:
“Ishte një ndeshje spektakli e vërtetë ku basketbollistët tanë na dhuruan vërtetë emocione të mëdha. Kishim kohë pse jo edhe vite pa përjetuar emocione të tilla. Ka qenë një ndeshje perfekte dhe besoj se të gjithë u kënaqën”. I pyetur nëse do jetë kampione e Shqipërisë kjo Vllazni e sivjetme, Zaganjori do të shprehej: “Investimi për këtë qëllim është bërë për të dalë Vllaznia. Shkodra e do basketbollin dhe këtë e tregoi edhe mbështetja që na dhanë në ndeshjen ndaj Klubit Tirana. Besoj se jemi në rrugë të mbarë megjithatë t’i marrim gjërat shtruar. Për momentin kemi siguruar vendin e dytë që do të thotë se në play- off do luajmë dy ndeshje në Shkodër dhe një në Tirana pikërisht ndaj Klubit Tirana për të menduar pastaj për ndeshjet finale të këtij kampionati”.
Gjergj KOLA