Atalanta dhe Dortmund, pas një ndeshje spekatkolare të zhvilluar në takimin e parë të luajtur shtatë ditë më parë në “Signal Iduna Park”, e vlefshme për 1/16-at e Europa League, do të përballen mbrëmjen e së enjtes në Itali për ndeshjen e kthimit.
Verdhezinjtë do të paraqiten në këtë sfidë me një gol avantazh pas fitores 3-2 të marrë në shtëpi.
Atalanta mban vendin e tetë në renditjen e Serisë A, tri pikë larg zonës së Europa League, dhe do të zbresë në fushë pas barazimit 1-1 të marrë në shtëpi kundër Fiorentina-s të dielën e kaluar.
Ecuria e tyre në ndeshjet e fundit nuk ka qenë e mirë, duke parë se ata kanë marrë vetëm dy fitore në shtatët takimet e fundit që kanë luajtur në të gjitha kompeticionet: 2 fitore, 2 barazime, 3 humbje.
Në konferencën për shtyp para kësaj ndeshjeje, trajneri Gasperini ka thënë se: “Do të duhet të luajmë një ndeshje perfekte.
https://www.youtube.com/watch?v=QJ6JMH_BP2I
Kualifikimi në raundin pasardhës do të ishte fantastik”.
Përballë zikaltërve do të jetë një Dortmund që duket se është kthyer në rrugën e duhur pas pushimit të dimrit, duke marrë katër fitore dhe tre barazime në shtatë ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet dhe duke u ngjitur në vendin e dytë të Bundesliga-s.
Atalanta ka shënuar gol në të gjitha shtatë ndeshjet që ka luajtur në këtë edicion të Europa League dhe mesatarja e golave të shënuar në ndeshjet e tyre të këtij sezoni është 3.29.
Dortmund nuk ka fituar asnjë nga gjashtë ndeshjet e fundit europiane që ka luajtur në transfertë. Verdhezinjtë kanë regjistruar 2 barazime dhe 4 humbje. /telesport/