Atalanta e këtij sezoni është një kënaqëi për të ndjekur, duke qenë se në fushë shfaqet një skuadër argëtuese teksa realizon shumë gola.
Deri në këtë pikë të Serisë A, kur janë luajtur 33 ndeshje, bergamaskët kanë shënuar 93 gola. Kjo do të thotë se mesatarja e golave të shënuar nga ana e Atalantës është 2.8 për ndeshje.
Një mesatare më e lartë se ajo e Barcelonës, Liverpulit apo edhe Mançester Sitit. Kështu, Liverpuli kampion i Premier League në 35 prezenca ka shënuar 76 gola, e përkthyer në një mesatare prej 2.2 gola për ndeshje. Sakaq, Siti ka realizuar 91 gola në 35 ndeshje dhe i afrohen, por sërish janë inferior ndaj Atalantës me një mesatare golash për ndeshje, 2.6.
Sakaq, në Spanjë, Barcelona ka shënuar 80 gola në 36 ndeshje, e përkthyer në një mesatare prej 2.22 gola për ndeshje. Akoma më inferior në këtë pikë është Real Madrid, i cili në 36 sfida ka realizuar vetëm 66 gola, me një mesatare prej 1.83 gola për ndeshje.
Ritmin e Atalantës ka mundur ta ketë vetëm Bajern Mynih, teksa në 34 ndeshje ka shënuar 100 gola. Dhe, në momentin kur kishin luajtur 33 ndeshje kishin shënuar 96 gola me një mesatare prej 2.9 gola për ndeshje.
Kuotë kjo më e lartë se e Atalantës. Ndërkaq, kundërshtarët e italianëve në Champions, PSG deri në momentin kur u ndërpre kampionati në 27 ndeshje kishte realizuar 75 gola, me një mesatare prej 2.77 gola për ndeshje. /Vipsport/