Një tjetër talent shqiptar do të tregojë vlerat e tij në Serinë C në edicionin që po fillon. Mesfushori i talentuar shkodran Erdis Kraja, pasi shfaqi të gjitha vlerat dhe cilësitë e tij te Palermo në edicionin e kaluar, tashmë do të veshë fanellën e një klubi tjetër, duke u ngjitur një kategori më lart.

Te sicilianët, Kraja u kthye në një nga futbollistët më të vlerësuar në Serinë D dhe ishte titullar i paprekshëm te Palermo. Por në fund të sezonit mbaroi edhe marrëveshja e huazimit të tij nga Atalanta dhe futbollistit i duhej të kthehej te bergamaskët.

Palermo u mundua që të blinte kartonin e tij dhe negocioi gjatë gjithë verës me Atalantën. Por klubi zikaltër nuk pranonte të shiste lojtarin dhe kështu, Palermo u detyrua të hiqte dorë nga ai, pasi nuk mund ta huazonte për shkak të kuotave në rregulloret e Serisë C.

Ndaj Kraja kërkoi një sistemim të ri në Itali dhe VIP Sport ka mësuar se ai ka nënshkruar sot marrëveshjen me klubin e Grosetos, në Serinë C, ku Atalanta e ka huazuar për edicionin e ri.

Për futbollistin shqiptar i cili dy muaj më pare mbushi 20 vjeç, ky është një hap më lart në karrierë, ndërsa insistimi që tregon Atalanta për të mos shitur kartonin e tij, vërteton se klubi i Serisë A beson te aftësitë e këtij mesfushori për të ardhmen. /vipsport/