Tre atletë të Vllaznisë kanë “kërcënua” me largim nga Shkodra nëse vëmendja ndaj tyre nuk ndryshon. Dhe nuk bëhet fjalë për sportistë çfarëdo. Janë tre kampionë kombëtar të këtij viti e pikërisht Ardit Rrashi, Elvedin Meti dhe Izmir Smajlaj që të pakënaqur me trajtimin që u bëhet, kanë bërë të ditur se mund të shohin qëndrimin e tyre të mëtejshëm tek ky klub. Pas tyre mund të jenë edhe të tjera që ka mundësi ta bëjnë këtë gjë. Ofertat në fakt në adresë të tyre nuk mungojnë pasi janë atletë kampionë dhe për rrjedhojë, ata kushdo I merr. Pasditen e djeshme, teksa këta tre sportistë po stërviteshin në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”, kanë ngritur këtë shqetësim duke marrë shkas edhe nga ulja me 40 për qind e trajtimeve të tyre ushqimore deri në fund të këtij viti. “Kjo është e pafalshme. Të trajtohen kampionët në këtë mënyrë, nuk është aspak e logjikshme. Ajo çfarë ne kemi marrë nga klubi Vllaznia ka qenë një shumë e vogël por të zbritet kjo shumë sërish edhe me 40 për qind për periudhën e mbetur deri në fund të vitit, është paksa absurd”-ka thënë Smajlaj, kampioni I Shqipërisë në garën e kërcimit trehapësh për këtë vit. Në të njëjtën linjë me të është edhe kampioni I 100 metrave Ardit Rrashi që për gazetën do shprehej: “Kështu si po shkojnë punët, këto sporte, përfshi këtu edhe atletikën, po shkojnë drejt shkrirjes. Sa I takon sportit tonë, ne humbëm një shans të madh për të marrë falas tartanin vetëm e vetëm që Bashkia Shkodër të merrte përsipër shtrimin me beton të pistës por këtë nuk e bëri. Nuk u bë as pista 110 metra po me tartan poshtë tribunës së stadiumit dhe përveç tyre, tashmë na I reduktojnë ndjeshëm edhe fondet. Kjo është diçka që nuk shkon”. Kampioni tjetër, ai I 200 metrave, Elvedin Meti ndërkohë zbulon edhe disa pagesa të sportistëve kampionë në klubet e tjera duke bërë krahasimin me atë që marrin kampionët në klubin Vllaznia. “Një kampion I atletikës në klubin Teuta merr 250 mijë lekë të vjetra trajtim ushqimor në muaj. Një kampion në klubin Tirana merr 300 mijë lekë, ndërsa Vllaznia deri tani I ka shpërblyer me 150 mijë leke, pa llogaritur tashmë ndalesën prej 40 për qind të tyre. Mesa duket me këtë trajtim që po na bëjnë, drejtuesit e klubit dhe ata të Bashkisë duan të na largojnë nga Shkodra. Nëse ekipi I Vllaznisë është kampion prej vitesh, me shumë mundësi duke ndjekur këtë politikë, jo vetëm ne të tre, por edhe sportistë të tjerë do largohen dhe Vllaznia me shumë të ngjarë nga vendi I parë do shkojë tek I fundit”- ka thënë Meti. Në këtë mënyrë tashmë duhen parë gjërat sesi do rrjedhin sepse shumësportëshi në Shkodër po kalon momente jo t ë mira. Shkurtimi I fondeve (drejtues të Bashkisë thonë se është 30 për qind dhe jo 40) është bërë për të gjithë sported, në kuadër edhe të ndryshimit të strukturës së klubit dhe kalimit të ekipeve nga pjesë e klubit shumësportësh në shoqata sportive.
Gjergj KOLA