Ditë aktivitetesh ndërkombëtare për atletët e Vllaznisë do të jenë ato që do vijnë në vijim. Më datë 1 qershor, sportistët shkodranë do të kenë mundësi që të marrin pjesë në dy turne ndërkombëtarë që zhvillohen njëkohësisht në San Marino dhe në Bosnjë. Në San Marino do të marrë pjesë atleti rekordmen I Shqipërisë në garën e kërcimit së gjati Izmir Smajlaj bashkë me trajnerin e tij Vildan Tufi. Por jo vetëm kaq. Organizatorët e këtij aktiviteti I kanë ofruar sportistit tonë edhe një javë stërvitje në kushte të shkëlqyera në këtë vend dhe kjo është arsyeja pse është zgjedhur San Marino për këtë pjesmarrje.

Ndërkohë në ditën e parë të muajit që vjen, një pjesë tjetër e sportistëve të klubit Vllaznia do të marrin pjesë në një turne që zhvillohet në Zenica të Bosnjës. Këtë gjë e ka bërë të ditur për televizionin tonë kryetrajneri I ekipit shkodran Albert Marashi. Sipas tij, në këtë turne ndërkombëtar, Vllaznia do të përfaqësohet me disa nga sportistët e saj më të mirë dhe natyrisht që do të tentojnë të arrijnë rezultate të larta. Në fakt, nuk është hera e parë që atletët shkodranë marrin pjesë në këtë aktivitet sepse një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme falë marëdhënieve shumë të mira që janë krijuar mes palëve. Ajo që vlen natyrisht që ka të bëjë me rritjen e përvojës për sportistët shkodranë dhe po ashtu, pjesmarrja në këto dy aktivitete u shërben atyre edhe si një garë kontrolli në prag të evenimentit më të rëndësishëm kombëtar siç është kampionati I të rriturve që do të zhvillohet në datat 6-7 qershor dhe ku Vllaznia padiskutim që do të synojë titullin kampion.

© shkodrasport.com