Skuadra e Vllaznisë në sportin e atletikës me 18 tetor do të niset për të zhvilluar një pjesë të fazës përgatitore në Malin e Zi. Shkodranët për 7 ditë me radhë do të qëndrojnë në qytetin e Tivarit në shtetin fqinj për të zhvilluar stërvitjen. Në fakt kjo është realizuar vitet e mëparshme më heret por këtë vit pikërisht në këtë periudhë janë arritur të sigurohen financat nga “Sport Klub Vllaznia” nga ku do të mundësohet përgatitja në Malin e Zi.
Është zgjedhur shteti fqinj për shkak se ka kushte klimatike të favorshme për atletët si dhe mjedise të përshtatme për të realizuar një stërvitje të plotë. Në Shkodër këto mungojnë, siç është infrastruktura tejet e dobët për shkak të mungesës së shtresës së tartanit në stadiumin “Loro Boriçi”, mungesa e bazës materiale e të tjera që duhen për të realizuar një stërvitje normale për atletët. Në këtë mënyrë ka disa vite që Vllaznia zgjedh Malin e Zi për fazën përgatitore intensive. Nga Vllaznia me 18 tetor në Malin e Zi do të jenë atletët kampion të kuqebluve si dhe disa prej vendeve të dyta bashkë me trajnerët e atletikës. Nga sportistët në shtetin fqinj do të jenë atletët Elvedin Meti, Albert Marashi që ka edhe rolin e trajnerit, Izmir Smajlaj, Ardit Rrashi, Mario Shestani dhe Bajram Muça. Ndërkohë që bashkë me këto sportistë do të jenë edhe 3 trajnerë, Isak Bala, Vildan Tufi dhe Gëzim Mema të cilët kanë nisur të përcaktojnë edhe programin stërvitor për 7 ditët e fazës përgatitore. Vllaznia është skuadra kampione në fuqi si dhe fituese edhe e Kupës për meshkuj në këtë mënyrë edhe pse është shumë pak atletëve i është mundësuar një stërvitje 7 ditore në Malin e Zi. Kjo bëhet në kuadër edhe të garava Kombëtare e Ndërkombëtare ku shkodranët marrin pjesë. Fillimisht në janarin e vitit të ardhshëm janë garat dimërore nga ku një vit më parë Vllaznia ishte fituese ndërkohë që në vijim janë të tjerë evente të rëndësishme.