Nga Gjergj KOLA
Atletët e Vllaznisë e kanë nisur mbarë vitin 2025. Në garat epara të tij, ato kanë bërë një paraqitje shumë të mirë duke zënë plot 7 vende të para në garat individuale. Bëhet fjalë për garat e Kampionatit Kombëtar Dimëror që u zhvilluan pasditen e djeshme në Elbasan.
Kështu, Franko Burraj ka zënë vendin e parë në garën e 400 metrave me kohën 47”63. Ndërkohë Leandro Çardaku është shpallur kampion në garën e 60 metrave me kohën 6″98. Për Muhamet Çangelin ky kampionat ka qenë shumë i mbarë sepse ai ka zënë dy vende të para. Konkretisht në garën e kërcimit së gjati me distancën 7.50 metra si dhe në trehapësh me distancën 15.28 metra, shkruan shkodrasport.com
Nga ana tjetër, Durjon Idrizaj është shpallur kampion në garën e 60 metrave me pengesa duke arritur kohën 8″80. Po ashtu vend të parë ka zënë edhe sportisti tjetër i Vllaznisë Glenis Haxhiaj në garën kërcimit së larti me rezultatin 1.90 metra. Edhe në garën e femrave ka patur një vend të parë, pikërisht nga Erisa Rrasa në garën e kërcimit së gjati me rezultatin 5.72 metra.
Një figurë të mirë kanë bërë dhe Kolindo Kiri në kërcim trehapësh duke zënë vendin e dytë me rezultatin 14.98 metra dhe në kërcim së gjati me rezultatin 6.88 metra. Erdi duka ndërkohë në kërcim së gjati arriti distancën 6.90 metra, Rigers Haxhiaj në 60 metra ka bërë një performancë të mirë he po ashtu dhe Renis Jasini në 60 metra, Dejan Balla në 400 metra, Idlir Hoxha në 400 metra, Mario Cepi në kërcim së gjati, Elizeo Spathari në kërcim së gjati, Elois Heta në kërcim së gjati, Reina Spatari në 60 metra, Roah Bashli në 400 metra, Amela Trumçi në kërcim së gjati. Për veteranët një paraqitje shumë të mirë ka bërë edhe Diamant Poja në garën e 400 metrave.
Nga rradhët e ekipit të Vllaznisë ka dalë ndërkohë dhe sportisti më i mirë i kampionatit i cili është Muhamet Çangeli me 1029 pikë olimpike. Paraqitja e mirë e atletëve të Vllaznisë vjen si rezultat i punës sistematike të tyre, nën drjetimin trajnerëve Albert Marashi, Bruno Rrotani, Dorian Tafa dhe Jetmir Jahaj.(www.shkodrasport.com)