Atleti i ekipit të Vllaznisë Bajram Muça është shpallur sportisti më i mirë i kampionatit kombëtar të sallave të mbyllura, i zhvilluar dy ditë më parë në Tiranë. Ai ka zënë dy vende të para në garat e zhvilluara, pikërisht në garën e 60 metrave dhe atë të 60 metrave me pengesa duke bërë një paraqitje shumë të mirë dhe duke grumbulluar më shumë pikë se të gjithë sportistët e tjerë dhe prandaj është vlerësuar edhe si më i mirë i këtij kampionati. Përveç tij, kanë zënë vende të para në këtë kampionat edhe disa sportistë të tjerë të Vllaznisë. Kështu, Izmir Smajlaj është renditur i pari në garën trehapësh ndërkohë që në garën e kërcimit së gjati, ka fituar një tjetër atlet shkodran, Gledis Halluni. Po ashtu, vend të parë ka zënë edhe Astrit Kryeziu në garën e 800 metrave. Në fund të aktivitetit, Federata Shqiptare e Atletikës ka përzgjedhur edhe sportistët që do ta përfaqsojnë atë në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura që do të zhvillohet më 22 shkurt në Stamboll dhe pjesë e saj do të jenë edhe atletët e Vllaznisë, Bajram Muça, Izmir Smajlaj e Gledis Halluni si dhe trajneri Albert Marashi.
Ja rezultatet e kampionëve në garat e dy ditëve më parë:
KAMPIONËT
MESHKUJ
Bajram Muça (Vllaznia) 60 m 7.05
Daniel Limani (Tirana) 400 m 51.46
Astrit Kryeziu (Vllaznia) 800 m 1.55.00
Bajram Muça (Vllaznia) 60 m/p 8.27
Izmir Smajlaj (Vllaznia) 3-hapësh 15.15 m
Adriatik Hoxha (Teuta) gjyle 17.06 m
Gledis Halluni (Vllaznia) së gjati 6.53 m
Genci Lugjja (Tirana) 3000 m 9.15.65
Graciano Dhima (Partizani) 1500 m 4.23.61
FEMRA
Olgerta Gjylapi (Skënderbeu) 60 m 7.87
Brixhilda Qosja (Tirana) 400 m 1.02.00
Silvana Gjuta (Tirana) 60m/p 9.39
Silvana Gjuta (Tirana) 3-hapësh 11.05 m
Adifete Tola (Teuta) gjyle 9.43 m
Arjola Dedaj (Mj.Sportive) 3000 m 13.37.00
Luljeta Shala (Llapi, Podujevë) 1500 m 5.04.00
Arta Sadrija (Tirana) së gjati 5.35 m

Sportistët më të mirë:

Olgerta Gjylapi (Skënderbeu) 976 pikë;
Bajram Muça (Vllaznia) 994 pikë