Reali i Madridit rrezikon eliminimin historik në 1/8 e Champions League. “Los Blancos” nisen nga avantazhi minimal i fitores 2-1 në ndeshjen e parë, por përballë Atleticos në “Wanda Metropolitano” kjo nuk mundtë shërbejë si garanci.

Për të arritur çerekfinalet dhe në rrugën drejt finales së Mynihut, ata duhet të kalojnë ekipin e Diego Simeones. Edhe barazimi do të mjaftonte, ndërsa eliminimi do të ishte dramatik, sepse për herë të parë në histori Atletico do të nxirrte Realin nga gara në Champions.

“Freskia, qartësia dhe cilësia e lojtarëve përcaktojnë ekipin fitues, jo trajneri. Në këtë këndvështrim, Ancelotti është dukshëm superior ndaj meje. Reali niset në avantazh, ne kërkojmë golin që do të na lejojë të bëjmë ndeshjen tonë. Kam besim te lojtarët e mi dhe mbështetja e tifozëve do të na ndihmojë. Duhet një ndeshje e madhe”, tha Simeone, shkruan A2.

“Simeone është një trajner i madh, kemi vizion të ngjashëm për futbollin. Kjo përballje me Atleticon na lejon të vazhdojmë të ëndërrojmë në Champions. Në përballje të tilla, një zëvendësim i mirë bën diferencën. Ky vit ka qenë më sfidues së të tjerët, por kemi besim dhe do të luftojmë deri në fund”, u shpreh nga ana e tij Ancelotti.