Për të dytin vit me rradhë në Shkodër është zhvilluar kupa “Autochthonous” me rastin e festës së Pavarësisë. Në edicionin e sivjetëm kanë marrë pjesë 8 ekipe nga Shkodra, Mirdita e Tirana. Numri I ekipeve pjesmarrëse ka qenë planifikuar të ishte më I madh por disa ekipev nga Kosova e Maqedonia e Veriut që kishin konfirmuar pjesmarrjen, nuk janë paraqitur për shkak të situatës së krijuar në vendin tonë.

Kupa është zhvilluar për grupmoshat U9 dhe U11 dhe ndeshjet kanë patur rivalitet. Në finalen e grupmoshës U9 në finale kanë dalë ekipet Djelmnia shkodrane dhe Atletik dhe fitues është shpallur ekipi Atletik me rezultatin 4-1 duke merituar kësisoj edhe kupën e vënë nga organizatorët.

Ndërsa në finalen e grupmoshës U11 janë ndeshur ekipet Djelmnia shkodrane dhe Mirdita dhe I pari ka fituar me rezultatin e thellë 8-1 duke merituar kupën. Në ceremoninë përmbyllëse të aktivitetit, janë vlerësuar edhe lojtarët më të mirë.

Për 11 vjeçarët, më I miri u shpall Brendon Krepi i ekipit Djelmnia, ndersa lojtari me i mire për 9 vjeçarët u shpall Siar Hoxha i ekipit Atletik. Lojtarja me e mire vajze u shpall Aldisa Kroni e ekipit Atletik. Po ashtu është vleresuar Brendon Qallija si arbitri me i mire i kesaj kupe.

Kanë asistuar gjatë kësaj ceremonie disa figura të njohura të futbollit shkodran të cilët kanë dorëzuar edhe çmimet për fituesit. Për t’u veçuar është fakti se para fillimit të çdo ndeshje, është mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit dhe po ashtu, një pjesë e të ardhurave të kësaj kupe kanë shkuar si ndihmë ndaj të prekurve nga kjo fatkeqësi.

Organizatorët e kësaj kupe, Hysen Zmijani në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Jetmir Podgorica I Shkodra Sport Event pas përfundimit të saj janë shprehur të kënaqur me mbarëvajtjen e turneut dhe kanë theksuar se vitet e ardhshme pjesmarrja do të jetë edhe më e madhe.
www.shkodrasport.com