Pasditen e djeshme ka mbërritur në Shkodër ekipi “Atletik Club” U-13 i cili siç dihet dy ditë më parë fitoi kupën e turneut që u zhvillua në Roveretto të Italisë.
Për të pritur fëmijët fitues, në sheshin qendror të qytetit kishin dalë për t’i pritur jo vetëm prindërit dhe familjarët e tyre por edhe tifozë të ndryshëm.
Padyshim që kemi të bëjmë me një sukses të veçantë sepse pjesmarrës në edicionin e 36-të të turneut “Citta della Pace” kanë qenë shumë ekipe nga mbarë bota.
Trajneri Elton Bungaja duke folur për “Shkodra Sport” pas mbërritjes nga Italia, e vlerëson shumë këtë sukses kur thotë:
“Treguam edhe njëherë se futbolli shqiptar dhe në veçanti ai shkodran, mund të matet si i barabartë me moshat e tyre të mbarë botës dhe madje edhe të triumfojë.
Ka qenë një sukses i merituar i këtij ekipi që i sfidoi të gjithë kundërshtarët dhe jo vetëm duke fituar por edhe duke zhvilluar një futboll bashkëkohor.
Ky është i njëjti brez lojtarësh me të cilin fituam dy vite më parë të njëjtën kupë me U-11 ndërsa sivjet e morëm me U-13.
Janë lojtarë që premtojnë për të ardhmen dhe padyshim që duhet të vazhdojmë të punojmë fort më to”.
© shkodrasport.com