Trajneri Elton Bungaja e kishte premtuar suksesin që para nisjes për në Itali dhe në fakt kështu ka ndodhur.

Ekipi U-13 i “Atletik Club Shkodra” ka mundur të gjithë kundërshtarët dhe ka merituar kupën e turneut “Citta della Pace” zhvilluar në Roveretto të Italisë.

Finalja është luajtur ditën e djeshme dhe është fituar nga ekipi shkodran i cili ka merituar edhe kupën e vënë nga organizatorët.

Padyshim që kemi të bëjmë me një sukses të këtij ekipi sepse pjesmarrës në edicionin e sivjetëm kanë qenë plot 36 ekipe nga vende të ndryshme të Botës.

“Atletik Club Shkodra” ka marrë pjesë me tre grupmosha, ato U-11, U-13 dhe U-15. Por duhet thënë se paraqitjen më të mirë e ka bërë ekipi i 13 vjeçarëve që ka merituar edhe kupën.

Kjo është hera e tretë që një ekip shkodran fiton kupë në këtë turne të përvitshëm. Ka ndodhur edhe para dy vitesh kur sërish trajneri Bungaja do të shpallej fitues me grupmoshën U-11 ndërsa vend të parë është zënë edhe para katër vitesh me 17 vjeçarët.

Jo keq padyshim. Në shtatë vite pjesmarrje, të fitosh tre trofe nuk është pak për Shqipërinë dhe Shkodrën. Pjesmarrja e sivjetme e ekipeve të “Atletik Club Shkodra” është mundësuar nga prindërit e fëmijëve që janë dhe financuesit kryesor të këtij udhëtimi ndërkohë që nuk mund të lihet pa përmendur edhe mbështetja e dy biznesmenëve, vëllezërve Maraçaj me kompaninë e tyre “Eurosistem” që po i qëndron afër këtyre ekipeve.
© shkodrasport.com