Në javën e dytë të kampionatit të Kategorisë së Parë, ekipet e moshave U-14 dhe U-15 të Atletik Klub kanë arritur të marrin një barazim dhe një fitore në ndeshjet e zhvilluara ndaj Juventus Academy.

Kështu, ekipi U-14 e ka mbyllur në barazim 1-1 ndeshjen e dytë të këtij kampionati, të luajtur në fushën sportive Zmijani. Në fakt, ka qenë një ndeshje, e cila u tentua të fitohej nga futbollistët e Atletikut, por nuk u arrit një gjë e tillë, teksa duhet thënë se edhe përpjekjet ishin të mëdha, me shkodranët që kaluan të parët në epërsi me Lleshin në minutën e 20-të.

Megjithatë, më pas, në të 26-tën, ekipi mik barazoi ndeshjen, duke çuar shifrat në 1-1. Në fund të ndeshjes, pas një konflikti do të kishte edhe tre kartonë të kuq, një për futbollistin e Atletik Klub, Klodjan Qytetaj dhe dy për futbollistët e ekipit mik të Juventus Academy. Tashmë, ndeshja nuk do të kishte më histori dhe gjithçka do të mbyllej me rezultatin e barabartë për të dy ekipet, 1-1.

Pas këtij barazimi dhe njëherësh edhe ndeshjes së dytë të këtij kampionati, Atletik Klub U-14 renditet në vendin e 10-të në tabelën e klasifikimit me vetëm një pikë.

Ndërkohë, krejt ndryshe është paraqitur në fushën e lojës ekipi i Atletik Klub U-15, i cili ka arritur të fitojë me rezultatin e pastër 3-0 po ndaj Juventus Academy. Ashtu si ndeshja e 14-vjeçarëve, edhe kjo përballje është luajtur në fushën sportive Zmijani dhe është ndjekur me interes nga të pranishmit, me Atletik Klub që ka luajtur më mirë dhe e ka merituar fitoren.

Ndeshja u hap me golin e Bushatit në minutën e 13-të, teksa pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 1-0 për Atletik Klub. Ndërkohë, në pjesën e dytë, Kallajxhiu dhe Vuksani do të shënonin edhe dy gola të tjerë për ekipin shkodran.

Deri në fund nuk do të kishte shumë histori dhe Atletik Klub U-15 arrin ta fitojë këtë ndeshje me shifrat 3-0. Pas kësaj fitoreje, ky ekip merr trepikëshin e parë dhe tashmë renditet në vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit. /Maringlen ZHIVANI/


Atletik Klub U14-Juventus Academy 1-1

Goli për Atletik Klub: Lleshi 20’

Formacioni i Atletik Klub U-14: Guri, Marlaska, Gjergji, Nuha, Lleshi, Ramollaj, Ymeraj, Kastrati, Hebovija, Bajri, Syla (u aktivizuan: Bashaj, Qytetaj) Tr: Eder Zmijani


Atletik Klub U15-Juventus Academy 3-0

Golat: Bushati 13’, Kallajxhiu 64’, Vuksani 70’

Formacioni i Atletik Klub U-15: Lumçi, Abazi, Livalli, Plori, Bushati, Taflaj, Hasanaj, Vuksani, Papaj, Ademi, Kallajxhiu (u aktivizua: Dajani) Tr: Saimir Kaloshi