Viti 2015 ka nisur i mbarë për atletikën shkodrane. Në kampionatin dimëror, atletët e Vllaznisë kanë dominuar duke zënë disa vende të para. Gara e parë e këtij viti në këtë mënyrë na ka dhuruar një tjetër sukses të tyre duke treguar se janë në rrugën e duhur për të fituar shumë trofe edhe gjatë këtij viti. Në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, njëri prej trajnerëve të këtij ekipi, Albert Marashi, shprehet i kënaqur me rezultatet e arritura në garën e fundit ndonëse kushtet në të cilat janë zhvilluar ato kanë qenë shumë të vështira.
“Mendoj se gjërat shkuan mirë në garat e para të këtij viti. Fakti që nga 9 disiplinat që u zhvilluan, 4 u fituan nga atletët tanë, kjo tregon se jemi paraqitur mirë ndonëse kushtet atmosferike në të cilat u zhvilluan garat nuk ishin aspak të mira dhe nuk i lejoi sportistët të japin maksimumin e tyre. Atletët Mario Shestani që u shpall kampion në garën e 60 m, Lulëzim Çengeli në 400 m dhe në veçanti Gledis Halluni që zuri dy vende të para, në kërcim së gjati dhe trehapësh, duke merituar edhe kupën e sportistit më të mirë, janë rezultate që tregojnë se në klubin Vllaznia punohet sistematikisht falë një pasioni shumë të madh të trajnerëve dhe mbi të gjitha, sakrificës së sportistëve që stërviten në kushte aspak normale dhe sërish po ia dalin të jenë më të mirët e vendit. Ky ishte vetëm suksesi jonë i parë për këtë vit por besoj se edhe në të gjitha garat e tjera që do të zhvillohen, atletët shkodranë kanë për të dominuar dhe besoj se titulli kampion do t’i takojë edhe këtë vit Vllaznisë”- ka thënë trajneri Marashi. Ndërkohë, i kënaqur me rezultatin e arritur është padyshim është edhe njëri nga sportistët që ka zënë vend të parë në këto gara, pikërisht Mario Shestani i cili është i bindur se sukseset nuk do të mungojnë as në të ardhmen. “Jemi përgatitur intensivisht me profesor Bertin gjatë gjithë kësaj periudhe dhe kuptohet që e prisnim në njëfarë mënyre këtë sukses por kuptohet që dëshironim një rezultat më të mirë por kushtet atmosferike në të cilat u zhvilluan garat, nuk ishin aspak të përshtatshme. Do jem pjesë e kombëtares shqiptare që do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura që do të zhvillohet gjatë këtij muaji në Stamboll ku do të mundohem të paraqitem sa më mirë. Sa për garat kombëtare, do të punoj fort për të zënë vend të parë edhe në kampionatin kombëtar që është dhe gara më e rëndësishme e vitit”- ka thënë fituesi i garës së 60 metrave në kampionatin e zhvilluar javën e kaluar. Vllaznia në atletikë në këtë mënyrë i ka bërë një nisje të mirë këtij viti megjithatë ajo kohët e fundit është shoqëruar me disa probleme që kanë patur të bëjnë me largimin e disa sportistëve por titulli kampion duket se edhe këtë vit do t’i takojë asaj.
Gjergj KOLA