Sulmuesi i Vllaznisë Charles Atsina nuk ka më shqetësime sa i takon dëmtimit të tij dhe pritet të bashkohet me ekipin në stërvitje. Stafi mjekësor ka patur frikë për ndonjë dëmtim të meniskut të gjurit por pas ekzaminimeve të bëra nuk rezulton të ketë asgjë serioze.

Për këtë arsye, ai tashmë mendohet t’i bashkohet grupit dhe ndoshta për ndeshjen me Flamurtarin nuk do të jetë i gatshëm por për atë që vjen me Kamzën, mund të jetë në 18-she. Gjithsesi për këtë do të vendosë stafi teknik pasi të konsultohet me atë mjekësor. Me rikthimin e ganezit me pasaportë italiane, tashmë alternativat për sulmin shtohen sepse nuk do të jetë më vetëm Ribaj në dispozicion të Cungut. Atsina ka spikatur me paraqitjet e tij në miqësoret e prag-sezonit duke shënuar edhe gola por kur filluan ndeshjet zyrtare, ai fillimisht nuk tregoi asgjë në fushë dhe më pas edhe u dëmtua duke qëndruar prej më tepër se dy javësh larg skuadrës. Tashmë rikthehet dhe shpresohet që ta bëjë si duhet detyrën e tij, atë të shënimit të golave për kuqeblutë sepse për këtë është marrë.

© shkodrasport.com