Arsenali në ditën e fundit të merkatos në janar të këtij viti shpenzoi 63 milionë euro për të blerë Pierre-Emerick Aubameyang nga Dortmundi. Sulmuesi i Arsenalit tashmë ka të drejtën të pretendojë se është qendërsulmuesi më i mirë i Premier Ligës, nga sulmuesit e “shkollës së vjetër” dhe që po i shohim gjithnjë e më rrallë, në një futboll që kërkon lojtarë që bëjnë gjithçka, mesfushorin apo sulmuesin e krahut, përveçse të shënojnë.

Aubameyang ka shënuar më shumë se asnjë lojtar në Angli në 3.5 sezonet e fundit. Është shënuesi më i mirë i Premier Ligës, me një skuadër ende në ndërtim e sipër, luan dhe shënon me një lehtësi të habitshme, por çfarë ka bërë gabonezi për t’u cilësuar qendërsulmuesi më i mirë i Premier Ligës? Kjo është analiza e The Guardian…

https://twitter.com/Sporf/status/1078692672464916481/photo/1

Është normale të kesh dyshime për Aubameyang, shumë njerëz kanë. Tani që Arsenali është disi në vështirësi, të shtunën në Anfield ndaj Liverpool-it do të jetë një mundësi e mirë për të rinisur debatin nëse Auba është numri 1 i Premier Ligës, apo thjesht një sulmues që shënon kur ekipi i tij e dominon kundërshtarin, që zakonisht është i pjesës së poshtme të renditjes.

Ndoshta Aubameyang mund të shënonte edhe më shumë sesa ka bërë deri tani, por realiteti është se edhe kaq mund t’i mjaftojë për ta mbyllur vitin si shënuesi më i mirë i Premier Ligës. Kjo gjë i habit shumë njerëz.

Megjithatë, këtu qëndron veçantia e Aubameyang. Askush si ai në kampionatet e mëdha nuk ka shënuar kaq shumë gola me kaq pak gjuajtje. Asnjë lojtar nuk ka bërë kaq pak ndërhyrje e prishje aksionesh kundërshtare, duke shënuar kaq shumë gola.

Bëhet fjalë për një sulmues thuajse të padukshëm, që bën gjërat minimale, që mund të jetë shkatërrimtar, por edhe shpesh periferik, në hije. Kundër Chelsea-t në gusht Aubameyang luajti 90 minuta dhe e preku topin vetëm 18 herë. Tre muaj më vonë në fitoren ndaj Tottenham-it ai luajti ndeshjen më perfekte dhe të pamëshirshme të sezonit, me 44 prekje, dy gola, një asist, 5 ndërhyrje në rrëshqitje për të rrëmbyer topin, asnjë gabim, asnjë shpërdorim, duke fituar edhe dy duele ajrore.

Gjithë kjo nga një futbollist që në 3 ndeshjet e fundit nuk ka shkaktuar asnjë faull, nuk ka tentuar asnjëherë të rrëmbejë një top nga kundërshtari dhe nuk është kapur asnjëherë në pozicion jashtë loje.

Një futbollist aq misterioz, saqë Milani e kishte të ri dhe nuk e mbajti, ndërsa vetëm St Étienne, Arsenal e Borussia Dortmund kanë shpenzuar para për një sulmues që është kthyer në makineri golash në dekadën aktuale.

https://twitter.com/goal/status/1078371288341794816/photo/1

Borussia Dortmund e shiti edhe për faktin se Aubameyang nuk ishte në parametrat që kërkonte klubi: jepte më pak se të tjerët, lëvizte më pak dhe e zbatonte me më pak përpikmëri planin e ekipit.

Kjo është pjesë e paradoksit Aubameyang. Ai është një atlet modern, por edhe një futbollist që të kujton ata të viteve ’80. Në epokën e 4-4-2 ekzistonin dy lloje qendërsulmuesish. I pari Njeriu i Madh klasik, pak a shumë si Andy Carroll, një tank i vërtetë kur është në formën e vet më të mirë. I dyti është sulmuesi i shpejtë, elegant, tip Lineker/Aubameyang, i cili shënonte shumë dhe ishte lojtari themelor për gjithë ekipin.

Aubameyang ka shënuar 9 gola jashtë fushe këtë sezon, golat e tij në ndeshje mjaft të ekuilibruara kanë prdhuar 12 pikë këtë sezon. Shumë tifozë të Arsenalit preferojnë një sulmues më agresiv dhe më pjesëmarrës në lojë, si Alexandre Lacazette, ndërsa të tjerë mendojnë se Auba dhe Ozil nuk mund të luajnë së bashku, pasi janë të dy miminalistë, preferojnë të lënë të tjerët të bëjnë punën e vështirë.

Megjithatë, Aubameyang është një futbollist i veçantë, që nuk përshtatet me asnjë filozofi të qartë apo model loje, por në fund të fundit shënon, edhe kur duket sikur nuk është fare në fushë dhe në futboll këta sulmues do të gjejnë gjithnjë një vend të veçantë në çdo ekip./telesport/