Tek Vllaznia U16 sivjet po spikat një lojtar i cili me shumë të ngjarë ka një karrierë të suksesshme përpara. Mbase edhe jashtë Shqipërisë pasi javën e ardhshme do të testohet në Angli.
E kemi fjalën për Augen Hasanin, futbollistin e datëlindjes 20 mars 2004. Edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë ndaj Don Boskos të fituar 3-1, ai ka spikatur jo vetëm se ka qenë autor i njërit prej tre golave të shënuar por edhe sepse është vlerësuar si lojtari më i mirë i ndeshjes.
Trajneri Astrit Prençi e vlerëson shumë këtë futbollist teksa thotë për të: “Kemi të bëjmë me një futbollist me të dhëna shumë të mira. Luan në mesfushë, shumë impulsiv në lojë, teknik, i shpejtë. Në njëfarë mënyre mund ta quajmë një futbollist të kompletuar dhe nëse vazhdon të punojë fort në stërvitje, me siguri që do të ketë një të ardhme të mirë”.
Por duket se Hasani 15 vjeçar të ardhmen e tij e sheh jashtë Shqipërisë. Dy muaj më parë ai ka qenë në Angli për një testim në një Akademi të drejtuar nga një emër i madh i futbollit të këtij vendi, Alan Smith.
Paraqitja e tij e parë ka qenë pozitive dhe nga sa bëhet e ditur, më datë 20 nëntor, Augeni do të udhëtojë sërish drejt këtij vendi për t’u testuar tek Akademia e Leiçester, nën vëzhgimin sërish të Smith. Trajneri Prençi mendon se ky 15 vjeçar mund t’ia dalë të luajë edhe në futbollin anglez me të dhënat që ka, megjithatë duhet pritur. E rëndësishme është që ai të vazhdojë të punojë fort dhe të rritet nga ana profesionale.
© shkodrasport.com