Ish- futbollisti i Vllaznisë Auron Miloti ka filluar të ngjisë shkallët e trajnimit. Nëse deri para pak kohësh ka drejtuar ekipin U-18 të SV Feldekirchen në Austri, prej pak ditësh ai tashmë ka marrë zyrtarisht ekipin e të rriturve të këtij klubi. Kanë qenë drejtuesit më të lartë të tij, ata që kanë marrë vendimin në fjalë nisur nga ecuria jo e mirë e ekipit. Për këtë arsye, ata kanë larguar trajnerin e mëparshëm dhe kanë emëruar në vend të tij, Milotin. Një vendim të tillë e kanë marrë duke parë punën shumë të mirë që 42 vjeçari shqiptar ka bërë me ekipin e të rinjve.

Në këto rrethana, tashmë për Milotin nis një detyrë e re të cilën ai e ka marrë me shumë dëshirë. “SV Feldekirchen është një ekip që merr pjesë në kategorinë e katërt të Austrisë, një ekip gjysmëprofesionist. Unë e njoh mirë ambjentin aty sepse kam qenë më përpara trajner i ekipit U-18 dhe ofertën që mu bë për të drejtuar ekipin e parë, e prita me kënaqësi. Do të mundohem të bëj më të mirën për të paçka se këtë sezon nuk kemi pretendime ngaqë ekipi nuk e ka nisur mirë kampionatin. Gjithsesi e rëndësishme për mua është ta kthej në rrugën e duhur dhe ndoshta sezonin e ardhshëm mund të pretendojmë”. Kampionatin e kësaj kategorie, ish- futbollisti i Vllaznisë por edhe i Tiranës, e njeh mirë pasi ka luajtur vetë për shtatë vite aty. Miloti jeton prej vitesh në Austri dhe pas përfundimit të karrierës si futbollist, ka nisur atë të trajnimit. Fakti që i kanë besuar drejtimin e një ekipi të rriturish kaq shpejt, tregon se ai e ka nisur mbarë duke marrë shumë vlerësime për punën që ka bërë deri më tani. Megjithatë është vetëm fillimi sepse besojmë që për Auron Milotin objektivi nuk është drejtimi i një skuadre në kategorinë e katërt të Austrisë, por pse jo, në një të ardhme të shpejtë edhe të Vllaznisë apo të ndonjë skuadre tjetër në kampionatin shqiptar.

© shkodrasport.com