I ftuar në rubrikën e Star Sport mbrëmë ishte edhe drejtori sportiv i Vllaznisë, Auron Miloti. Ish-sulmuesi komentoj fitoren kundër Tiranës, ku theksoi se gëzimi ka mbaruar dhe përqendrimi i ekipit është tek ndeshja e rradhës. Gjithashtu ai dedikoi suksesin ndaj bardhebluve, tifozëve shkodranë.

Miloti tha: “Është gjithmonë patjetër gëzim kur fiton kundër Tiranës, e sidomos në fushën e tyre. E për më tepër duke qenë kampionët në fuqi e shton akoma më tepër emocionin.

Ky është një 3 pikësh që i dedikohet tifozëve shkodranë që janë gjithmonë në mbështetjen e skuadrës. Ata janë me të vërtetë të veçantë në llojin e tyre.

Por duhet të theksoj se nuk kemi arritur ende asgjë. Ndeshja me Tiranën tashmë duhet harruar dhe përqendrimi shkon tek ndeshja e rradhës. Fokusi është tek Egnatia dhe ne patjetër që kemi si synim një rezultat pozitiv. Ndeshjet merren me rradhë dhe skuadra duhet të qëndrojë sa më shumë me këmbë në tokë.

Pse nuk luan Vulaj ? Kampionati është i gjatë dhe në skuadër janë 25 lojtarë. Do vijë rradha e të gjithëve për të treguar vlerat dhe kur ta shohim Vulajn në fushë do kemi të drejtë të gjykojmë mbi performancën e tij”.

Endri ÇINARI