Nehat Fojleta, autori i dyshuar që desh të therte me thikë trajnerin e Vllaznisë Ernest Gjoka ka mohuar se ai është paguar nga dikush tjetër për të sulmuar teknikun e Vllaznisë.
Në dëshminë e tij në polici Fojleta ka deklaruar se sipas tij gjithçka ka ndodhur rastësisht. Ai ka pranuar se e ka goditur trajnerin Ernest Gjoka por pasi ky i fundit e ka fyer autorin e dyshuar.
Nehat Fojleta ka qenë prezent në stërvitjen e Vllaznisë në fushën sportive “Reshit Rusi” ndërsa ka thënë për policinë se është tifoz i çmendur ndaj ka shkuar për të parë nga afër stërvitjen e kuqebluve.
Duke dalë nga fusha “Reshit Rusi” në fund të stërvitjes Fojleta ka deklaruar për policinë se ka parë në këmbë teknikun Ernest Gjoka dhe aty autori i dyshuar i ka folur teknikut duke i thënë se “po na e fundos Vllazninë”.
Sipas Fojletës pas kësaj shprehje trajneri Gjoka e ka fyer duke i thënë se “mos na e çaj k*in”.
Sipas autorit të dyshuar kur ka marrë këtë përgjigje nga trajneri i Vllaznisë është ndjerë i fyer ndaj edhe është irrituar në ato momente.
Duke mos duruar fyerjen e teknikut Gjoka si pretendon Fojleta, atëherë e ka goditur teknikun e Vllaznisë duke u përleshur me të për pak sekonda derisa ka ndërhyrë kapiteni Gilman Lika dhe ata që qëlluan në vendngjarje.
Fojleta po ashtu ka mohuar se ka patur thikë në përleshjen me teknikun Gjoka.
“Unë isha duke parë stërvitjen sepse jam tifoz i çmendur i Vllaznisë. Duke dalë nga fusha stërvitore pashë trajnerin që po bëhej gati të largohej.
Aty i thashë se po na e fundos Vllazninë duke patur parasysh rezultatet jo të mira dhe pozicionin kritik të ekipit. Trajneri Gjoka m’u kthye duke më fyer. Ai më tha ‘mos na e çaj k*in me këtë muhabet’.
Nuk e përballova këtë fyerje dhe pastaj e godita dhe u përleshëm aty. Gjithçka ishte rastësore dhe ndodhi në mënyrë spontane. Nuk është e vërtetë se jam paguar nga dikush tjetër. Unë nuk kam patur thikë me vete por vetëm e godita sepse u ndjeva i fyer rëndë”, ka deklaruar Fojleta. Nehat Fojleta akuzohet për “vrasje e mbetur në tentativë”.
Nga ana tjetër Sehar Xhenje i arrestuar gjithashtu dhe i akuzuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje ka mohuar se ka patur dijeni për ngjarjen e shokut të tij.
“Unë kam shkuar më në afërsi të fushës për të marrë shokun tim me makinë. Nuk e kisha fare idenë se çfarë ka bërë ai dhe se ishte përleshur me trajnerin e Vllaznisë. Nuk kam asnjë ide për çfarë ka ndodhur dhe s’kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Unë isha rastësisht aty”, ka deklaruar Xhenje duke hedhur poshtë akuzën ndaj tij.
Përveçse bashkëpunëtor në këtë ngjarje, Xhenje akuzohet edhe për “deklarim të rremë” përpara oficerit të policisë duke patur dyshime se ai nuk ka thënë të vërtetën.
Klubi Vllaznia në deklaratën për shtyp pas ngjarjes me teknikun Gjoka u shpreh se ka dyshime se sulmi ndaj trajnerit mund të jetë i sponsorizuar nga persona të tjerë. Po ashtu edhe vetë trajneri Gjoka disa herë e ka deklaruar se ai do të dijë se kush është koka që fshihet pas këtij sulmi ndërsa dy personat e arrestuar i quan thjeshtë ‘dora’ ndërsa për të ai që e ka porositur është një tjetër person.
Gjoka ka thënë gjithashtu se “fëmijët s’mund t’i bëjnë futbollistë me zor” duke lënë të kuptohet se ky sulm mund të ketë lidhje me pakënaqësitë e ndonjë prindi për fëmijën e tij që ka arritur aty pretendojnë, në ekipin e parë.
Policia ka tre pista se kush mund të jenë porositësit e sulmit por deri më tani ende nuk është avancuar në këtë pjesë për shkak se dy të arrestuarit e kanë mohuar se pas tyre fshihet dikush tjetër që ka organizuar dhe sponsorizuar sulmin./shkodraweb.com/