Për Vllazninë aktuale të gjithë po flasin mirë dhe në Shkodër janë zgjuar shpresat për ta parë skuadrën e tyre sërish kampione. Njëlloj siç ka ndodhur 19 vjet më parë, në rastin e titullit të fundit të fituar. Njëri prej pjestarëve të atij suksesi, pikërisht trajneri i portierëve Avenir Dani, mendon se skuadra e vitit 2001 ka patur më tepër cilësi brenda ndërkohë që kjo aktualja shquhet për kolektivitet. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai është shprehur se Vllaznia po bën mirë, por gara sa vjen e vështirësohet dhe skuadra duhet të ruajë vazhdimësinë e saj.

Vllaznia e sivjetme është një ekip më i formuar se ai i kampionatit të kaluar. Një skuadër më e lidhur, më kolektive. Vllaznia është një ekip me lojë të thjeshtë por shumë të kontrolluar. Kemi të bëjmë me një skuadër që ka treguar stabilitet e shumë kujdes. Ajo ka shfrytëzuar shumë mirë edhe situatat e kundërshtarëve që s’janë në formën e tyre më të mirë.

Kanë kaluar 8 javë dhe ekipi me meritë kryeson deri në këto momente. Me të drejtë egoja për titull shtohet, por rruga është e gjatë dhe për mendimin time është herët të thuash se ky ekip është për kampion”- ka thënë Dani.

Ai ka qenë pjesë e stafit të Vllaznisë herën e fundit kur ajo është shpallur kampion, në vitin 2001 dhe duke folur në lidhje me këtë gjë, do të shtonte: “Kanë kaluar shuëm vite dhe kemi kujtime shumë të bukura. Ishte një vit ku gjithçka ka folur për ne në çdo aspekt. Ruajmë kujtime të bukura dhe emocione tepër të mëdha nga ai sukses.

Por të krahasosh ekipi aktual me atë të vitit 2001 kur kemi dalë kampion, ka shumë ndryshim. E para, ai ekip doli kampion ndërsa ky aktuali është ende në fillim të rrugëtimit të tij. Unë mendoj se ekipi i vitit 2001 ka qenë më cilësor se ky i sotmi. Kishte në përbërje të tij lojtarë shumë më cilësorë, ndërsa sot spikat loja kolektive. Në atë kohë ish-presidenti Myftar Çela pat ofruar 13 lojtarë që ishin mjaft cilësorë. Sot janë afruar 16 dhe gjithçka ka ndryshuar, fatmirësisht për mirë”.

I pyetur ndërkohë se cilin konsideron ekip rival të Vllaznisë, Avenir Dani do të shtonte: “Kukësi ka një ekip të mirë, po ashtu edhe Tirana, Partizani, Teuta e Laçi. Mendoj se pavarësisht faktit se jemi në vend të parë, ka ende shumë rrugë për të bërë. Diferencat mes skuadrave nuk janë të mëdha.

Jam i mendimit se është bërë një punë e shkëlqyer e stafit drejtues dhe e stafit të trajnerëve, gjë e cila pasqyrohet në fushë nga ekipi. Stafi ka ditur ta harmonizojë këtë skuadër dhe ka kërkuar prej saj të zhvillojë një lojë jo vetëm për rezultat, por edhe bindëse. Kjo Vllazni deri tani bind, por duhet që të shikohet edhe vazhdimësia. E theksoj se dora e stafit teknik dhe kryesisht e trajnerit Brdariç është e dukshme”.

Një mendim në fund si ish- portier dhe trajner portierësh, Avenir Danit i është kërkuar edhe për portierin aktual të Vllaznisë Bojan Zogoviç, për të cilin është shprehur: “Nuk është etike të flasim tani për portierin, ndërkohë që ekipi po ecën shumë mirë”./SHKODRA-SPORT.COM/