Nga Endri ÇINARI
Në merkaton e këtij dimri kaloi nga Olimpiakos në Greqi tek ekipi i Rio Ave në Portugali. Fjala është për Andreas Ndoj, futbollistin me origjinë shkodrane, por i lindur dhe rritur në vendin fqinj. Në këtë sesion merkatoje, ai kaloi në formë huazimi nga gjigandër grekë në elitën e futbollit portugez tek Rio Ave. Kjo në mënyrë që mbrojtësi të ketë më shumë minuta aktivizimi.
Ku tashmë e kishte humbur vendin e titullarit tek bardhekuqtë duke mos u preferuar nga trajneri. Por Ndoji është shndërruar menjëherë në protagonist në Portugali. Ditën e sotme ai është paraqitur si titullar në ndeshjen Farense-Rio Ave. Duel që përfundoi me fitoren e skuadrës së 21-vjeçarit në shifrat 1-2. Një 3 pikësh shumë i rëndësishëm ky në transfertë për ekipin e Rio Aves.
Për tu kthyer tek performanca e Ndojit, ajo ishte e jashtëzakonshme në qendër të mbrojtes. Shtatlarti u vlerësua me notën 7.7, duke qenë kështu lojtari i ndeshjes për të dy skuadrat. Në këtë mënyrë duke treguar vlerat dhe klasin e tij tashmë në Portugali. Vlera që janë dalluar që në moshë të re nga ana e shkodranit, i cili ka debutuar që 18 vjeç me ekipin e parë të Olimpiakos. E ndërsa tashmë deri në fund të muajit qershor do jetë pjesë e Rio Aves në formë huazimi nga rekordmenët e futbollit helen.