Myrto Uzuni do të firmosë me një klub tjetër, por ka mbetur i izoluar në Shqipëri e nuk kthehet dot në Kroaci. Ky është apeli që vetë babai i tij, Artan Uzuni, i ka bërë kryeministrit Edi Rama me një mesazh që i ka dërguar atij. Ai ka shpjeguar se sulmuesi i kombëtares shqiptare tashmë duhej të largohej nga vendi ynë, për t’u kthyer në Kroaci por e kishte të pamundur ta bënte një gjë të tillë.

“Përshëndetje zoti kryeministër, jam një prind nga Berati. Kërkoj ndihmën tuaj sepse varet e ardhmja e djalit tim. Ai është lojtar i Lokomotivës së Zagrebit dhe njëkohësisht lojtar i Kombëtares. Ai bëri 12 ditë karantinë në Zagreb jo se ishte i prekur, por vetë, për t’u mbrojtur dhe kur e pa që nuk kishte shpresa për të vazhduar në klubin ku ai luan, mori lejen e tyre dhe u nis për në Shqipëri.

Ka 11 ditë sot i mbyllur këtu në shtëpinë e tij, tashti e kërkon klubi për të firmosur me një klub tjetër që mund të jetë e ardhmja e tij. Po mundet, jepini leje të dalë nga Shqipëria, sepse me doganat e tjera nga Mali I Zi dhe Bosnjë ka folur klubi i tij, do ikin me makinën e tij. Po pres përgjigje”, ishte mesazhi që Artan Uzuni i ka dërguar kryeministrit shqiptar duke kërkuar që të gjente zgjidhje për këtë situatë delikate të sulmuesit të përfaqësueses shqiptare. /vipsport/