Mesfushori i Partizanit, Jurgen Bardhi, duket optimist për fitimin e titullit kampion këtë sezon, duke thënë se “demat” janë aty për të përfituar nga çdo gabim i Vllaznisë. Aktualisht, Partizani ka 9 pikë më pak se Vllaznia, por me ardhjet në merkato, skuadra është përforcuar tepër dhe të kuqtë e Ilir Dajës konsiderohen favoritët për titullin kampion.

Bardhi foli në “Procesi Sportiv” për ndeshjen kundër Vllaznisë, marrëdhënien që ka me trajnerin Daja si dhe u shpreh se arbitri gaboi në rastin e dy kartonëve të kuq, për Bitrin dhe Krymin.

DUELI ME VLLAZNINË – “Terreni ndikoi, ne jemi ekip që luajmë me topin, në Elbasan nuk mund të luanim. Kishim shumë dëshirë të fitonim kundër Vllaznisë, por fati nuk ishte me ne. Mund ta shikoni vetë, ndikoi balta. Madje, shihet edhe portieri i Vllaznisë, që puth topin”.

RASTI NË FUND – “Cara është një djalë i ri, donte ta bënte gol me patjetër. Ishte i pafat, herën tjetër do të shënojë”.

SEZONI – “Nga mënyra si e kemi nisur, me bllokim merkato dhe me një sezon thuajse të dështuar ai i kaluari, këtë sezon jemi mirë, kemi ndryshuar, ardhja e profesor Dajës na ka përforcuar. Bardhi do të punojë shumë që të arrijë aty ku do, kam ende punë për të bërë.

VLLAZNIA – “Vllaznia është një ekip mjaft i bukur dhe e ka treguar gjatë gjithë ndeshjeve. Është një skuadër që nuk ka shumë diferenca me ne. Na kanë mundur me një gabim tonin, ndërsa ndeshjen e fundit mund ta fitonim. Shpresoj që Vllaznia të bëjë gabime, që ne të përfitojmë”.

STILI DAJA – “Puna e profesorit dallohet te Partizani. Kur ka ardhur në fillim, na ka pyetur se ku duam të luajmë. Unë i kam kërkuar të luaj në mesfushë dhe ma ka plotësuar këtë pjesë. Unë ndihem mjaft mirë aty dhe po tregoj diçka që të tjerët nuk e kanë parë te Bardhi”.

BABAI ME VLLAZNINË – “Fillimisht është tifoz me Partizanin, pastaj është Vllaznia”.

KARTONËT E KUQ – “Isha afër Bitrit dhe Krymit. Pashë Krymin që goditi Bitrin. Arbitri mund t’i evitonte kartonët e kuq, pasi kjo ndeshje ka grintë dhe duele. Arbitri nuk kishte pamje të qartë, mund ta evitonte ndëshkimin me kartonë të kuq”.