Ka mjaftuar një foto e publikuar nga ish-shefi i Klubit Vllaznia Gëzim Mema dhe nuk kanë munguar komentet dhe vlerësimet e shumta pozitive për këtë figurë. Bëhet fjalë për Bahri Axhemin, drejtuesit e Komitetit të Fiskulturës në Shkodër për shumë vite me rradhë.
“Bahri Axhemi është i vetmi drejtues i sportit në kohën e diktaturës që në sport nuk ka zhvillue luftën e klasave, përkundrazi ka shumë shembuj që duke i mbrojtur sportistët, i ka dhënë atyre vendin e duhur në sport. Këtë e dinë mirë shkodranët.
Interesant është fakti se edhe njerëzit që kanë punuar me të kanë kenë njerëz pozitivë e profesionistë, mjafton të përmendim Injac Lacukut, Zef Naraçin apo të palodhurin Fahri Fani””.
Kaq ka mjaftuar që vlerësime të tilla pozitive të vijnë për Axhemi. Ish- kampioni i madh i mundjes Rrok Bardeli shkruan: “Sot sportit i mungojnë të tillë drejtues. Për karrierën time sportive i jam mirënjohës këtij njeriu”.
Ndërsa mjeshtri i peshëngritjes Faruk Kalleshi thotë: “Bahri Axhemi ka merita të veçanta sepse punësonte sportistët, i donte dhe ndihej shumë kontributi i tij në sport”.
© shkodrasport.com