Karriera e tij si sportist por edhe si trajner, e ka bërë Bajram Agovin një figurë shumë të nderuar jo vetëm në komunitetin e mundjes shkodrane por edhe atë shqiptare. Dita e sotme është e veçantë për të sepse feston 71 vjetorin e lindjes së tij.

Një përvjetor që e gjen atë të fortë dhe padyshim me një histori të pasur sportive nga pas. Ai ka qenë një sportist i shkëlqyer ku ka mahnitur dhe triumfuar në mundje, por edhe në sportin e futbollit. Një djalosh i një familjeje me 5 vëllezër, arriti që të bënte emër në Shkodër dhe në Shqipëri për atë që shfaqi në sportin burrëror të mundjes.

Filloi çdo gjë në vitin 1962 ku nën urdhërat e trajnerit të njohur Njazi Bushati arriti të bënte hapat e parë në sportin e mundjes. Viti 1963 do sillte suksesin e parë ku do shpallej kampion për të rinj në peshën 49 kilogramë.

Viti 1964 do shënonte kalimin e tij te ekipi i të rriturve ku do ishte nën udhëheqjen e e trajnerit Qazim Elbasani. Sërish viti 1965 do shënonte një titull për të rinjtë. Me emra të njohur si Asim Belinova, Balo Halluni, Ndoc Marku e shumë e shumë të tjerë do ishte pjesë e një ekipi të madh të mundjes.

Por figura e tij e sportistit nuk do qëndronte vetëm brenda sportit të mundjes. Në kohën kur lejoheshin te luheshin 2 sporte, Agovi luajti edhe futboll me të rinjtë e Vllaznisë në vitin 1965. Ishte shok ekipi me emra të mëdhenj si Halil Puka, Ismet Hoxha, Ferit Hasani dhe nënudhëheqjen e një legjende si Xhelal Juka.

Vitet do ecinin dhe në vitet 1970-1974 luan futboll me shpresat e Vllaznisë ku si trajner ka Nikoll Gjergji, një tjetër emër i njohur i futbollit shkodran.

Në po atë vit Bajram Agovi krijon krijon kolegjiumin e arbitrave të mundjes, ku Shkodra përfaqësohej me 3 arbitra. Bëhet kryetar i kolegjiumit të Shkodrës dhe anëtarë i kolegjiumit të Shqipërisë. Viti 1981 e shtyn që të kryejë kursin e trajnerit të mundjes, një sporti shumë të dashur për të.

Nga viti 1981-1987 drejton ekipin e Vllaznisë të së rriturve. Në mundjen klasike fiton me Vllazninë në vitin 1984 medaljet e arta në spartakiadën kombëtare të Shqipërisë. Pjesë të atij ekipi ishin emra të njohur si Paulin Sterkaj, Seit Fishta, Paulin Merla, Ali Hamzi, Sander Leka, Eljaz Guri e shumë të tjerë.

Vitet 1988-1994 do shikonin që dimensioni i tij në sport të zgjerohej akoma më tepër. Kjo pasi do bënte arbitrin në mundje, duke dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e këtij sporti. Viti 2001 do shihet një nderim të tij nga ana e presidentit Rexhep Mejdani që i jep Agovit medaljen e bronztë.

Federata e mundjes e dekoron në vitin 2014 me titullin “Nderi i mundjes shqiptare”. Një figurë shumë dimensionale në sport duke filluar nga sportist i mundjes dhe futbollit, trajner i mundjes dhe arbitër i këtij sporti.

Me të vërtetë sot në moshën 71 vjeçare shumë mund të mos e njohin se kush është Bajram Agovi, por figura të tilla janë të papërsëritshme dhe duhen vlerësuar në mënyrë maksimale për kontributin e tyre të dhënë ndër vite.

Gazeta “Shkodra Sport” i uron Bajram Agovit edhe 100 vite të tjera të lumtura bashkë me familjen e tij. Nje figure e tille padyshim qe i ben nder Shkodres dhe Shqiperise.
Gjergj KOLA