Nedim Bajrami nuk ka vendosur ende se çfarë të bëjë në të ardhmen e tij, nëse do të vazhdojë te Empoli apo do të bëhet pjesë e një skuadre tjetër pasi ka tërjequr vëmendjen e emrave më të mëdhenj të futbolli italian. Mesfushori i cili iu bashkua së fundmi përfaqësueses shqiptare ka treguar për mediat italiane se nuk po planifikon asgjë për momentin për të ardhmen e tij, përveçse të luftojë me Empolin për ngjitjen në Serinë A.

“Në fillim ishte një rol i ri për mua, m’u deshën disa javë punë për t’u përshtatur dhe sigurisht që besimi i trajnerit ishte i rëndësishëm. Por pak nga pak jam përmirësuar dhe tani po bëj mirë në një pozicion që e ndjej se është i imi. Duhet të vazhdoj kështu.

Nuk kam preferenca, mund të luaj edhe në krah dhe është një pozicion që më pëlqen. Janë role ofensive, ndaj për t’u përmirësuar duhet vetëm të shënoj më shumë gola e të jap më shumë asiste.

Te Empoli ndjehem mirë dhe Italia më pëlqen shumë. Nuk është rastësi që zgjodha të vija këtu dy vite më parë. Shpresoj që të qëndroj sa më shumë. Ndeshja e Kupës ndaj Napolit? Një natë e pabesueshme, të shënoja dy gola atje ishte një eksperiencë që nuk do e harroj. Por bëhet fjalë për të kaluarën dhe në këtë moment po mendoj të bëj mirë në këtë pjesë të fundit të sezonit me Empolin.

E ardhmja? Objektivi i radhës është pa dyshim që të mbyllim në mënyrën më të mirë sezonin dhe të ndihmojmë skuadrën të arrijë ngjitjen në kategori. Për më pas nuk kam menduar, preferoj të bëj çdo hap me radhë”, tha Bajrami. /vipsport/