Në Toskanë është njeriu i momentit. Një gol dhe një asist në ndeshjen kundër Torinos, Nedim Bajrami rikthehet vendimtar për Empolin ku trajneri Aurelio Andreazzoli e cilëson jetik për skuadrën e tij.

Lojtari i kombëtares shqiptare vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes mediatike në vendin fqinjë pasi gazeta më e madhe sportive në Itali, “Gazzetta Dello Sport” e ka intervistuar duke zbuluar diçka më shumë nga njeriu i momentit në kampin e Empolit.

Në intervistën dhënë për gazetën në fjalë, mesfushori shqiptar fikson fillimisht objektivin kryesor të sezonit që sipas tij është kuota e 40 pikëve me Empolin për të siguruar sa më parë mbijetesën në Serie A. Në vijim, Bajrami flet edhe për veten e tij.

“Më pëlqen të luaj pas sulmuesve por shpesh herë jam aktivizuar edhe si mesfushor i majtë në treshen e mesfushës. Zidane ka qenë përherë modeli dhe idhulli im. Më pëlqente shumë si lojtar dhe e ndiqja shumë që kur aktivizohesha në ekipet e të rinjve”, thekson 22-vjeçari shqiptar që sipas Gazzetta Dello Sport, edhe pse ka lindur në Zvicër nga priondër me pasaportë maqedonase, ai zgjodhi të luante për Shqipërinë.

“Arsyetova me zemër. Më thirrën dhe nuk hezitova asnjë çast për të pranuar ftesën e tyre”, shton në fund Bajrami, lojtari që Edoardo Reja e kërkoi me ngulm dhe mund të rezultojë njeriu kyç në Kombëtaren e vitit të ardhshëm./newsport/