Akademia e Futbollit të Bajzës ka nderuar gazetarin dhe komentatorin sportiv të Malësisë së Madhe, Bashkim Ramekaj, me një Kupë me emrin e tij. Kjo akademi me drejtues trajnerin e mirënjohur në vite, Ndue Burgaj, organizuan një Kupë me emrin e gazetarit dhe komentatorit të njohur sportiv, në nder të kontributit të tij të dhënë ndër vite.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin katër ekipe të futbollit të moshave U-15. Pikërisht, bëhet fjalë për Adën e Velipojës, Arrën e Madhe, Bajzën dhe Veleçikun. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe artistët e zonës, por edhe gazetari sportiv Defrim Met’hasani, të cilët vlerësuan punën e bërë ndër vite të Bashkim Ramekajt, duke shprehur edhe mirënjohje për organizatorët e aktivitetit.
Në finale u ndeshën dy ekipet e Malësisë së Madhe, Bajza dhe Veleçiku. Kështu, skuadra bajzjane fitoi me rezultatin 1-0, teksa arriti të marrë edhe trofeun e Kupës “Bashkim Ramekaj”.
Ky i fundit, krahas aktivitetit mediatik rreth 40-vjeçar, si gazetar dhe komentator sportiv, ka patur një karrierë të pasur edhe si sportist, duke qenë përreth 10-vite si atlet me ekipin e Vllaznisë dhe të Apolonisë së Fierit, teksa më pas ka punuar edhe si trajner moshash në atletikë.
Në fundin e këtij aktiviteti, në shenjë rrespekti për kontributin e shumtë të dhënë për sportin në shërbim të komunitetit të Malësisë së Madhe, presidenti i Akademisë së Futbollit Bajza, Ndue Burgaj, e nderoi gazetarin dhe komentatorin e njohur sportiv Bashkim Ramekaj edhe me titullin e “Mirënjohjes”.
Maringlen ZHIVANI