Barazimi në takimin e djeshëm ndaj Luftëtarit sigurisht që i ka zhgënjyer të gjithë në kampin shkodran sepse ishte një rezultat që nuk pritej. Padyshim që pika e marrë vlen në garën për mbijetesë të Vllaznisë por duhet thënë se të gjithë prisnin fitoren ndaj gjirokastritëve sepse kështu ajo do rimerrte vendin e katërt në renditje. Me rezultatin e arritur në këtë përballje, shanset për të marrë përsëri këtë vend deri në fund të kampionatit tashmë janë zvogëluar, duke parë natyrisht edhe kalendarin e tri ndeshjeve të mbetura ku dy prej tyre do të luhen në transfertë. Sigurisht që gjërat tashmë janë bërë shumë më të vështira, nisur edhe nga problematikat që po has stafi teknik me kontigjentin e lojtarëve. Në ndeshjen me Luftëtarin, Bardulla ishte i pamundur për arsye dëmtimi, Gocaj ka sakrifkuar duke luajtur në pjesën e dytë i dëmtuar ndërsa Bicaj shfaqi probleme para takimit dhe nuk luajti. Por këto probleme do të vazhdojnë për disa prej lojtarëve edhe për sfidën e rradhës me Laçin që do të luhet ditën e hënë. Madje, përveç lojtarëve të dëmtuar, në këtë përballje nuk do të jetë i gatshëm as sulmuesi Bakaj. Ai në ndeshjen me Luftëtarin është ndëshkuar me karton të verdhë, që ishte i treti për të dhe për këtë arsye, do të mungojë ndaj kurbinasve. Një mungesë e tillë natyrisht që ka rolin e vet sepse kemi të bëjmë me një nga pikat më të forta të Vllaznisë nga janari e këtej kur ai është bashkuar me të duke shënuar edhe 6 gola për kuqeblutë. Mungesa e tij sigurisht që do të ndikojë tek skuadra  megjithatë Cungu do të jetë i detyruar t’i bëjë planet pa të.

© shkodrasport.com