Çështja e rinovimit apo jo të kontratës së trajnerit të kombëtares shqiptare është kthyer në një temë diskutimesh në opionin sportiv shqiptar dhe për këtë arsye është temë edhe e shumë studiove televizive.

Gazetari sportiv, Ervin Baku mendon se Edoardo Reja, me shumë mundësi do të vijojë të jetë trajner i Kombëtares. Në një intervistë për Euronews Albania, Baku u shpreh se me Rejan, mund të ndodhë e njëjta situatë si me De Biasin pak vite më parë.

“Kam përshtypjen që do vazhdojmë me Rejan. Përse e bëj këtë paralelizëm? Për eleminatoret e Botërorit 2014, pas një fitoreje në Norvegji, ne ishim pretendentë kryesorë, por më pas ne nuk shkuam dot në Botëror. Mbaroi edicioni dhe të gjitha opinionistët, i gjithë opinioni publik, ishin kundër De Biasit.

Çfarë bëri Duka? I besoi prapë de Biasit dhe shkuam në Europian. Fakti që Duka e mori Rejan në Frankfurt në hedhjen e shortit, kam përshtypjen që do të vazhdojë. Kam përshtypjen që do vazhdohet me Rejan”, theksoi gazetari sportiv, Ervin Baku.
Maringlen ZHIVANI