Bekim Balaj është prezantuar sot zyrtarisht si futbollisti më i ri i Shturm Grac në Austri, ku ka vendosur të vazhdojë karrierën e tij. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, në konferencën e prezantimit, ka bërë të qartë se pret me padurim të japë kontributin në fushë, edhe pse për momentin po punon më shumë individualisht dhe po njihet me ambientin e ri.
Në fjalët e tij para mediave, Balaj shpjegoi se kishte marrë këshillat e duhura nga Hamdi Salihi i cili njeh mirë Austrinë, ndërsa uronte që të linte shenjë në këtë etapë të re të karrierës.
“Në momentin që firmosa u bëra pjesë e klubit, e thashë që me padurim prisja të bëhesha pjesë e skuadrës. Sot ishte dita e parë dhe bëra stërvitje individuale dhe analizën teknike me grupin, por jam i ri dhe po mësohem me skuadrën, me grupin. Pres me padurim që t’i bashkohem punës me pjesën tjetër dhe të luaj para tifozëve tanë në stadium pasi kam dëgjuar që janë mbështetës të zjarrtë.
Ndeshja e parë që kam ndjekur nga Shturm Grac nuk u mbyll me një rezultat të mirë, por këtu shoh një ekip të mirë e të motivuar, ndaj them se në ndeshjen e radhës janë të gjitha mundësitë për të bërë rezultat të mirë. Po pres të bëhem pjesë e ekipit e të filloj të luaj, të jap gjithçka.
Jam mësuar me trysninë e kërkesës së golave, është gjithmonë te sulmuesit ndaj duhet të punosh gjithmonë për të. Po punoj këto ditë që të bëhem gati sa më shpejt që të jetë e mundur që të jap kontributin për ekipin dhe në ndeshje me golat e mi
A e njoh Shturm? Kam dëgjuar më shumë nga Salihi, i cili ka luajtur për shumë kohë në Austri, ai më ka dhënë informacionet bazë mbi kampionatin dhe Shturm Gracin, stadiumin, fansat, qytetin. Përshtypja e parë ishte pozitive, tani po prek gjithçka vete, do të shoh vetë gjithçka çdo ditë. Uroj që të kem kujtime të bukura në këtë qytet dhe në këtë klub”, u shpreh Balaj para gazetarëve. /vipsport/