Bekim Balaj është kthyer në këtë sezon në protagonistin kryesor të lojës së Vllaznisë duke qenë një lider me golat e tij teksa ka shënuar 10 të tillë. Por sulmuesi shkodran ka treguar se vëmendja e tij nuk është te gara për “Këpucën e Artë”, por te ajo për titullin kampion.
Në një intervistë për “News 24”, ai ka shpjeguar se është i fokusuar te objektivat e Vllaznisë, me dëshirën e madhe për t’u shpallur kampion me kuqeblutë.
Bekim, 11 gola në 19 javë. Si do e vlerësoje paraqitjen tënde në këtë sezon?
Normalisht jam i kënaqur për golat e shënuar, por më shumë ato gola kanë qenë në shërbim të skuadrës, të përkthyer në pikë dhe rezultate që kemi marrë kohët e fundit.
Kë shihni si rival për “Këpucën e Artë” këtë vit. Realisht nuk duket se keni rival…
Nuk e kam fokusin aty. Mendoj që kemi objektiva më madhorë. Gjithsesi, golat e mi shpresoj të jenë të shumtë, por në shërbim të skuadrës. Pa skuadrën, do të ishte e vështirë të shënoheshin.
Ka Balaj një objektiv personal këtë sezon, është dhe viti i Europianit…
I gjithë fokusi është te Vllaznia, të bëj sa më mirë këtu dhe pse jo, të provoj të kthejmë titullin kampion në Shkodër. Ai është objektivi madhor për mua.
A keni mesazh për Silvinjon? Ju jeni një prej atyre lojtarëve që shkruat emrin me germa të arta në historinë e kombëtares shqiptare…
Silvinjos i uroj suksese. Ka bërë një ecuri fantastike, ai dhe ekipi në këto eliminatore dhe mendoj se edhe të njëjtën paraqitje do të këtë në Europian.
A mund të bëjë kjo Kombëtare më mirë se sa në “Euro 2016”?
Mundësitë janë. Grupi duket më i vështirë, por me ato paraqitje që kanë bërë gjatë eliminatoreve, i japin shpresë të gjithë shqiptarëve për një paraqitje edhe më dinjitoze se ajo në Europianin e 2016.
Çfarë synon Vllaznia këtë sezon, në kampionatin shqiptar?
Fillimisht, objektiv është katërshja e parë se ajo është formula e këtij kampionati. Na mundëson pjesëmarrjen në atë mini-finalen në fund të sezonit. Jemi në rrugën e duhur por është shumë punë për të bërë. Jemi vetëm në gjysmën e kampionatit. Këto fitore na japin shpresë, kanë krijuar atmosferë pozitive dhe shpresojmë ta mbajmë sa më gjatë.
Katër fitore radhazi, çfarë ka ndryshuar te kjo skuadër?
Ne jemi të varur nga rezultatet. Këto fitore kanë rritur besimin në skuadër dhe lojtarët, ekipi po shprehet më mirë. Por është herët për të folur. Është vetëm gjysma e sezonit dhe shpresojmë të mbajmë këtë ecuri sa më gjatë.
Janë larguar një numër lojtarësh, prisni të vijnë të tjerë? A i duhen kësaj Vllaznie disa përforcime?
Merkato ka qenë e kujdesshme deri tani, po shihen lojtarë në ato pozicione që i kemi të nevojshme. Lojtarët cilësorë janë të mirëpritur këtu te ne.