Vllaznia u mposht përballë Erzenit në transfertë në javën e 19-të të Superiores. Pas kësaj sfide, ish-gjyqtari, Lorenc Jemini, komentoi golin e anuluar të Malës në minutën e 40’, i cili për të ishte më se i rregullt. Gjithashtu ai kishte dhe një kritikë për VAR-in.
“Unë mendoj se kanë gabuar te goli. Goli nuk duhej anuluar, sepse në momentin e goditjes së topit, Balaj nuk ka qenë drejt me portierin. Quhet interferim te rrezja e portierit vetëm kur je te zona e 5-metërshit. Ajo është zona shumë delikate që ndikon.
Logjikisht lëvizja që bën Balaj nuk është lëvizje që bën për të gënjyer portierin. Ajo është për t’i hapur rrugën goditjes. Në momentin që goditet topi, Balaj nuk është drejt me portierin, është një metër më djathtas portierit. E dyta është në rrezen e portierit në zonën e 5-metërshit. Nëse je në zonën e madhe nuk interferon aq shumë, vetëm nëse je drejt fare.
Vetëm se kam diçka që e kam vënë re këto ndeshjet e fundit dhe më bën përshtypje. Në VAR shikoj që vendosen dy arbitra kryesor. Përse duhet të vendosen dy arbitra kryesor, kur në VAR duhet të jetë një kryesor dhe një asistent?! Sot (dje) këtu ishin dy kryesor. Dhe në Laç ishin dy kryesor. Dhe në Ballsh ishin dy kryesor. Ka tjetër këndvështrim për pozicion jashtë loje asistenti dhe tjetër kryesori. Nuk e kuptoj.
Të tjera seminare bën asistenti, të tjera bën kryesori. Tjetër këndvështrim ka ai për pozicionin jashtë loje, tjetër kryesori. Nuk e di. Nuk është se s’ka asistent, asistentë ka sa të duash”, u shpreh Jemini për emisionin “Procesi Sportiv” në “Top Channel”.