Ballkani është shumë pranë përsëritjes së historisë dhe kthimit në fazën në grupe të Ligës së Konferencës. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka hedhur një hap shumë të sigurt duke fituar sot në Prishtinë me shifrat 4-1 ndeshjen e parë të play-off ndaj BATE Borisov.

Edhe pse u gjend në disavantazh pas pak minutash lojë, ekipi kampion në fuqi i Kosovës, rriti pak nga pak nivelin e lojës së vet dhe ia doli që të gjente barazimin me anë të Jashanicës në minutën e 31-të. Por pjesa e dytë ishte ajo ku bëri plotësisht diferencën, pasi në fushë kishte vetëm një skuadër.

Ballkani sulmoi dhe krijoi raste radhazi, duke gjetur dy herë rrjetën me Tolajn e më pas edhe me Thaçin, teksa shpërdoroi edhe mundësi të tjera shumë të mira për të bërë këtë diferencë më të thelë ndaj një kundërshtari që kapitulloi pa kushte.

Kështu, ekipi i Ballkanit shkon në sfidën e dytë me një avantazh të ndjeshëm për të administruar, teksa faza në grupe e Ligës së Konferencës për të dytin vit radhazi duket shumë afër.

BALLKANI 4-1 BATE BORISOV

31′ Jashanica, 58′, 66′ Tolaj, 89′ Thaqi / 10′ Laptev