Kampioni i Kosovës, Ballkani do ta luajë ndeshjen kundër Viktoria Plzen në Shqipëri, e vlefshme për Ligën e Konferencës.
UEFA të premten njoftoi që ndeshja Ballkani – Viktoria Plzen do të luhet më 30 nëntor në “Air Albania” në Tiranë.
Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ nuk u pranua nga komisioni i UEFA-s shkaku i gjendjes së fushës.Rreth kësaj ka shkruar edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
“Stadiumi “Air Albania” i Tiranës do të presë një tjetër ndeshje ndërkombëtare. UEFA ka vendosur sot të spostojë ndeshjen mes klubit të Ballkanit (Kosovë) dhe FC Ciktoria Plzen (Çeki) nga stadiumi “Fadil Vokrri” i Prishtinës në stadiumin “Air Albania”.
Ky vendim është marrë për shkak të kushteve të përkeqësuara të fushës në stadiumin e kryeqytetit kosovar, ndërkohë që sfida është e programuar të luhet në Shqipëri më datë 30 nëntor, duke nisur nga 18:45″, thuhet në njoftim.
Ndeshja Ballkani – Viktoria Plzen i takon xhiros së pestë të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.
Ballkani ka katër pikë në pozitën e tretë, ndërkaq Plzen është e para me 12 pikë të grumbulluara.