Nga Endri ÇINARI

Ekipi i Ballkanit është ngjitur ditën e sotme në vendin e parë të Superligës në Kosovë. Kjo pas fitores në javën e 13-të të kampionatit kundër Malishevës. Vendimtar për sigurimin e 3 pikëve të skuadrës nga Suhareka ishte Adetunji me golin e tij në minutën e 38-të. Ku rrjeta e nigerianit do ishte edhe vetmja në gjithë ndeshjen që do mbyllej 1-0.

Por një element tjetër që spikati për ekipin portokalli ishte edhe Geralb Smajli. Mbrojtësi i djathtë shkodran u prezantua sërish si titullar dhe ky fakt nuk përbën më lajm. Sepse 22-vjeçari është shndërruar në të pazëvendësueshëm për skuadrën kampione të Kosovës. Patjetër paraqitjet e ish-lojtarit të Vllaznisë kanë justifikuar edhe besimin ndaj tij.

Kjo pasi Smalji nga java në javë po konfrimohet si një nga më të mirët në futbollin kosovar. Ku disa javë është shpallur edhe në formacionin më të mirë të raundit. Duke vërtetuar cilësitë dhe nivelin që ai po tregon që prej transferimit të tij në vetë në Kosovë. Këtë edicion, Smajli numëron 4 asiste me skuadrën e Ballkanit, ku ende po kërkon edhe golin e tij të parë.

Smajli u transferua këtë merkato në rradhët e Ballkanit. Ku pas 3 vitesh në rradhët e Vllaznisë si profesionist vendosi që për herë të parë të luante jashtë Shqipërisë. Tek skuadra nga Suhareka janë pjesë edhe dy futbollistë të tjerë si: Elmando Gjini dhe Uheid Hoxha. Të cilët po presin ende të tregojnë vlerat e tyre ashtu siç ka bërë deri më tani Smajli./www.shkodrasport.com/