Me siguri ndikuan shumë gjëra: ndeshja e parë e sezonit, të nxehtit, ndryshimet e shumta në merkato, mosnjohja e kundërshtarit… Megjithatë, një barazim 0-0 në vajtjen e turit të parë në Champions League është pa asnjë dyshim një zhgënjim i madh për Kukësin.

Duhej fitore, nuk erdhi, duhej lojë, nuk ishte gjëkundi. Me Peter Pakult ishim mësuar ndryshe, por ndoshta presioni i Europës ishte tepër i madh.

Kukësi bëri pak ose asgjë, largimi i Gurit në sulm la një gropë të madhe dhe Plaku nuk e bën dot pykën, sado të vrapojë, sidomos kur nuk ka hapësira në mesfushën kundërshtare.

Valeta mund të mendohej inferiore, por sot luajti shumë mirë, kontrolloi fushën në çdo cep, krijoi edhe raste të shkëlqyera për gol dhe në fund mori atë që donte, një barazim.

Natyrisht, 0-0 nuk është kurrë rezultat i keq, por shqetëson loja e dobët e Kukësit, që në Shkodër u duk jetim, me shumë pak tifozë nga pas dhe një ritëm mjaft të ulët.