Ndonëse shumë prej titullarëve i kishte lënë në stol, Barcelona mori një barazim 1-1 në transfertën ndaj Celta Vigos për Kupën e Mbretit. Katalanët gjetën të parët avantazhin në minutën e 15’, me anë të sulmuesit të ri, Jose Manuel, që dërgoi në rrjetë një pasim të mirë të Andrei Gomesit. Celta, që në sfidat e fundit ishte shndërruar në një ‘mace të zezë’ për Barcelonën, gjeti golin e barazimit në minutën e 31-të, me anë të sulmuesit anësor, Sisto.

Minutat në vijim sollën lojë dhe raste, por rezultati mbeti i pandryshuar, duke lënë çështjen e kualifikimit, për t’u zgjidhur në sfidën e kthimit. Në këtë takim, u rikthye në fushë pas dëmtimit të gjatë, edhe blerja më e shtrenjtë e Barcelonës, Ousmane Dembele, që u aktivizua në 20 minutat e fundit të sfidës.

Në sfidën tjetër, atë mes Leganesit dhe Villarealit, vendasit triumfuan me rezultatin 1-0, falë golit të shënuar nga Amrabat, në fillim të pjesës së dytë.