Tirana është skuadra kampione e barazime në Kategorinë Superiore. Një shifër për rekord. Në dhjetë javë, skuadra bardheblu ka barazuar tetë herë, ka humbur një takim dhe ka një fituar një tjetër. Të mos harrojmë, që Tirana në 6 takimet e para të sezonit kishte vetëm barazime.

Në vendin e dytë të kësaj renditje rreshtohet Elbasani, me 6 rezultate të tilla dhe podiumin e plotëson Partizani, me pesë. Tirana është aktualisht e shtata me 11 pikë, gjashtë më pak se vendi i parë, Partizani. Dy ndeshjet e radhës, bardheblutë i luajnë me Vllazninë dhe Egnatian.

Pas barazimit në Korçë kundër Laçit, presidenti i Tiranës, Refik Halili nuk e ka superuar këtë situatë të nderë. Ai ka thirrur të dielën drejtorin e skuadrës, Agim Ibraimi, dhe i ka kërkuar llogari për gjendjen e ekipit. Halili ka kritikuar filozofinë difensive të skuadrës bardheblu, e cila në pjesën e dytë u rreshtua në mbrojtje.

Halili mësohet t’i ketë thënë drejtorit që skuadra më mirë të rrezikojë të humbasë sfidën, sesa të shihet duke u mbrojtur me vështirësi. Fakt është që Tirana në pjesën e dytë u zvogëlua shumë në fushën e lojës dhe duke mbrojtur rezultatin, në fund e pësoi. Halili ka kërkuar një lojë sulmuese për të treguar forcën e bardhebluve.