Gola, raste, penallti dhe spektakël! Kjo është pasqyra e asaj që ndodhi në “Niko Dovana”, në ndeshjen mes Teutës dhe Kukësit, e cila u mbyll në një barazim spektakolar 2-2.

Nje rezultat qe ne pamje te pare “gezon” Vllaznine sepse nje nga rivalet e saj si Teuta eshte ndalur nga nje skuader si Kukesi pa shume pretendime, megjithate ky eshte nje tregues se neser kuqeblute duhet te bejne shume kujdes ndaj nje skuadre tjeter “pa pretendime” si Tirana.

Ne ndeshjen e luajtur ne “Niko Dovana”, durrsakët humbasin kështu mundësinë për t’u afruar me kreun e renditjes, që mbahet nga Vllaznia. Vendasit dominuan gjithë pjesën e parë, teksa arritën të shënojnë edhe golin e avantazhit, me Dejvi Bregun, që një penallti të fituar e ktheu në gol në minutën e 35’. Pjesa e dytë ishte me të vërtetë spektakolare, ku u realizuan plot 3 gola.

Fillimisht ishte skuadra e Josës, që barazoi shifrat në minutën e 70’ me Eze nga penalltia, por ky barazim zgjati vetëm 2 minuta, pasi Bregu realizoi një “perlë” në minutën e 72’ duke kaluar përsëri durrsakët në avantazh. Gjithsesi verilindorët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 86’ barazuan shifrat me Tsintsadze.

Teuta ndalet kështu pas 3 fitoreve radhazi në kampionat, ndërsa Kukësi merr një pikë, pas humbjes me Partizanin. Teuta shkon kështu në kuotën e 37 pikëve, aq sa Partizani i vendit të dytë, 4 më pak se Vllaznia, ndërsa Kukësi ngjitet në kuotën e 30 pikëve në vendin e pestë.

FT| TEUTA-KUKËSI 2-2

Bregu 35′, 72’/ Eze 70′, Tsintsadze 86′