Barazimi I Vllaznisë 2-2 ndaj Kukësit pasditen e së dielës është konsideruar rezultat shumë pozitiv nga të gjithë në Shkodër. Kjo ngaqë luhej ndaj skuadrës kampione në fuqi, luhej në Kukës dhe për më tepër, kuqeblutë vinin pas disa momenteve jo të mira që po kalonin kohët e fundit. Kuqeblutë gjithsesi kanë bindur me paraqitjen e tyre dhe mbase, me më pak kujdes edhe mund të kishin dalë të fituar nga “Zeqir Ymeri”.
Përveç rezultatit pozitiv, tifozët shkodranë kanë vlerësuar edhe lojën e ekipit në ndeshjen ndaj Kukësit, një lojë më sulmuese e saj. Përveç dy golave të shënuar, kuqeblutë kanë patur edhe disa raste të tjera shënimi. Këto ndryshime në lojën e Vllaznisë I faturohen stafit të ri teknik. Trajneri Gjoka duket se u ka dhënë më lirshmëri në detyrat e tyre taktike në fushë futbollistëve dhe ata po I shfaqin si duhet vlerat e tyre. Ndërkohë, pika e marrë në Kukës sigurisht që vlerësohet si positive por nuk mjafton. Trajneri Gjoka dhe stafi I tij duhet që bashkë me futbollistët të vazhdojnë serinë e rezultateve positive. Ndeshja e rradhës me ta, ajo me Skënderbeun është edhe më shumë e vështirë dhe për më tepër, ende nuk dihet se ku do të luhet. Stadiumi “Loro Boriçi” nuk do të jetë I gatshëm për këtë ndeshje për shkak se është mbjellë bari I ri në fushën e tij. Ende nuk është e sigurtë nëse ky takim do të luhet në “Reshit Rusi” sepse pritet konfirmimi I Federatës Shqiptare të Futbollit për të. Vllaznisë I duhen pikët. Ajo ka arritur të grumbullojë deri tani vetëm 6 pikë në 8 ndeshje, shumë pak për një ekip të ndërtuar për të patur objektiva të tjera.
© shkodrasport.com