Nga Endri ÇINARI
Vllaznia u ndal në një barazim 0-0 në javën e 35-të të Superiores. Shkodranët nuk shkuan më shumë se marrja e një pike në duelin e klasikes kundër Tiranës. Një rezultat që nuk ishte aspak i favorshëm për kuqeblutë. Të cilët tashmë humbën edhe vendin e dytë në klasifikim. Pozicion që tashmë mbahet nga Partizani.
Por ndeshja e djeshme konfirmoi se shkodranët kanë mbrojtjen më të mirë të këtij edicioni në Superiore. Pas 35 javëve, 9 herë kampionët e vendit kanë pësuar 29 gola. Në të njëjtën kuotë të pësimit të golave është edhe Partizani. Ku dy ekipet ndajnë podin për skuadrat që kanë pësuar më pak.
Një rekord në ndeshjen e djeshme u vendos edhe nga Kristi Qarri. Portieri i Vllaznisë e mbajti për herë të 15-të portën e paprekur përsa i përket ndeshjeve të këtij edicioni. Më mirë se 23-vjeçari i portës shkodrane nuk ka bërë asnjë koleg i tiji. Kështu duke treguar një siguri për katërkëndorin e mbrojtur nga gardiani shkodran.
Patjetër tek Vllaznia duan që këtë formë të prapavijës dhe portierit ta shikojnë edhe në ndeshjet e “final 4”. Ku të mos pësosh gol është shumë e rëndësishme. Pasi duelet që do zhvillohen do kërkojnë që çdo futbollist të jetë në maksimumin e tij-/www.shkodrasport.com/